Ikja e kosovarëve, Haradinaj sulmon Mustafën

Deklaratat e klasës politike kosovare kundër emigrimit masiv të qytetarëve nuk e kthejnë shpresën e tyre për të vazhduar jetën në Kosovë.

Edhe mbrëmjen e së premtes dhjetëra qytetarë u nisën drejt Beogradit me destinacion të fundit ndonjë vend të Bashkimit Europian.

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur të shtunën kryeministrit të Kosovës për deklaratën se faji është i Serbisë, e cila po i lejon qytetarët të kalojnë me letërnjoftime kufirin Serbi-Hungari, duke thënë se Mustafa nuk po mundëson kthimin e tyre në Kosovë.

“Nuk duhet kërkuar faji tek fqinjët. Ndoshta ata e shohin për mirë ikjen e shqiptarëve, por ne duhet ta shohim brenda Kosovës zgjidhjen e problemit. Për më shumë shihemi të mërkurën në shesh”, ka deklaruar Haradinaj.

Duke komentuar rolin e Serbisë dhe faktin se sa i lehtë është kalimi i kufirit Serbi-Hungari, njohësi i së drejtës së BE-së, Emrush Ujkani vlerëson se Serbia po i shkel rregullat e BE-së.

Sipas tij, BE-ja duhet të marrë masa ndaj Serbisë si një vend që aspiron integrimin dhe njëkohësisht që shfrytëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.

“Serbia po e lehtëson procesin e ikjes së kosovarëve drejt BE-së, duke marrë për bazë faktin se shumica e këtyre njerëzve ikën në mënyrë ilegale drejt Hungarisë, kur është detyrë e Serbisë për të penguar këtë lëvizje. Serbia duhet ta pengojë një gjë të tillë, duke pasur parasysh detyrimet e saj ndaj BE-së, si vend që aspiron anëtarësimin dhe që gëzon lëvizjen e lirë”, deklaron Ujkani.

Kjo sjellje e Serbisë megjithatë nuk i amniston autoritetet kosovare në detyrimet për të ndalur këtë fenomen. Kuvendi i Kosovës, në mungesë kuorumi dështoi në miratimin e rezolutës së propozuar nga grupi parlamentar i AAK-së për ndalimin e emigrimit ilegal në seancën e mbajtur javën që shkoi. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button