Tsipras përpiqet të qetësojë Europën: Jo veprime të njëanshme

Me një deklaratë për agjencinë ekonomike të lajmeve, Bloomberg, kryeministri i ri grek Akleksis Tsipras është përpjekur të shuajë flakët që kanë ndezur takimet e tensionuara të kreut të Eurogrupit në Athinë ditën e premte më të dhe me ministrin grek të Financave.

“Detyrimi im është të respektoj mandatin e pastër të popullit grek, për t’i dhënë fund masave shtrënguese dhe rikthimit në një axhendë të zhvillimit, e cila në asnjë mënyrë nuk përmban mos përmbushjen e detyrimeve tona në pagesat e kredive të BQE dhe FMN”, ka thënë Tsipras, duke garantuar se Athina do të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian.

Tsipras ka theksuar se janë dhënë këndvështrime të ndryshme për deklaratat e Athinës zyrtare, sipas të cilave nuk pranohet si bashkëbiseduese Trojka, një komision trepalësh me strukturë të kalbur, siç është quajtur nga ministri Varufakis, ndërsa kërkohet të negociohet direkt me BE, FMN dhe BQE.

“Ne nuk kemi thënë kurrë se do të veprojmë në mënyrë të njëanshme”, ka shkruar Tsipras disa orë pas reagimeve në të gjithë Europën për zhvillimet në vend, sidomos pas deklaratës së kancelares Merkel se nuk do të ketë reduktim e as falje të borxhit për Greqinë.

Ndërkohë, qytetarët grekë janë shfaqur të dyjëzuar përsa i përket përballjes së parë zyrtare me përfaqësuesit e BE dhe aftësisë së qeverisë së re për të detyruar partnerët europianë të rinegociojnë me të.

“Nga njëra anë më kënaq ky qëndrim i qeverisë sepse shoh që qëndrimi i ministrit, i qeverisë në përgjithësi, është një politikë e forcës kundër politikës së Evropës veriore. Pra, në këtë aspekt, më jep kënaqësi, por nga ana tjetër më frikëson sepse nuk e di se deri në çfarë mase zoti Varoufakis dhe politikat e zotit Tsipras mund të qëndrojnë përballë Trojkës, Europës veriore dhe politikave të Gjermanisë”, thotë Thodoris Tsokas, qytetar i thjeshtë.

“Nëse nuk ka propozim alternativ, natyrisht që kjo më shqetëson. Mosmarrëveshja me Trojkën nuk më shqetëson, por unë do të doja që qeveria greke të dalë me një propozim alternativ”, deklaron Fotis Paraskavopoulos, profesor universiteti.

Si shenjë e parë e reagimit të europianëve konsiderohet ndryshimi i programit të ministrit Varufakis, i cili shkon më parë në Paris për t’u takuar me homologun e tij dhe më pas në Londër, ku kishte planifikuar vizitën e parë, ndryshim që vjen menjëherë pas takimit që ka pasur kancelarja Merkel me presidentin Hollande dhe kreun e PE, Martin Shcultz në një restorant në Strasburg mbrëmjen e së premtes.

Zhvillimet e javës së fundit në Greqi u shoqëruan me luhatje të mëdha në bursën e vendit dhe me rendimente të larta të bondeve helene 3.5 dhe 10-vjeçare. Ekziston gjithashtu shqetësimi për mungesën e likuiditetit të bankave pas paralajmërimit të një anëtari të bordit të BQE për ndërprerje të mbështetjes nëse Athina nuk zbaton marrëveshjet.

Nga ana tjetër, agjencia e vlerësimit “Standard & Poor’s” ka deklaruar se mund të japë vlerësime negative për parashikimin e zhvillimit të ekonomisë, që deri para pak javësh konsiderohej i qëndrueshëm. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button