Albin Kurti: Kosovën e shoh të bashkuar me Shqipërinë

Në një intervistë për gazetën ditore kroate “Večernji List”, lideri i Lëvizjes VETVENDOSJE thotë se të ardhmen e Kosovës e sheh si shtet sovran, të bashkuar pastaj me Republikën e Shqipërisë, si rezultat i një referendumi popullor. Ai beson se Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës si një Republikë të pavarur dhe sovrane.

Ndërsa lidhur me atë se a mund të jetë Trepça arsyeje për eskalime të reja në Kosovë në mes shqiptarëve dhe serbëve, Kurti thotë se nuk mund të flitet për eskalim të situatës në mes shqiptarëve dhe serbëve, por për paradigmën e qasjes fashiste së Serbisë ndaj Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi.

“Politika hegjemoniste e Serbisë, e cila shpërfaqet edhe nëpërmjet Trepçës, mbetet problemi kryesor për paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Serbia e sotme e ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit dhe Sheshelit në vend se të kërkojë falje për masakrat ndaj shqiptarëve, ajo edhe më tutje po vazhdon me politikat e saj fashiste ndaj Kosovës, duke dëshmuar kështu se ajo nuk ka ndryshuar që nga koha e Nikola Pashiqit. E paqja pa antifashizëm është spostim i luftës për « ditë më të mira”, ka thënë Kurti.

Duke folur për shtyrjen e ligjit rreth minierës së Trepçës, ai thotë se kjo nuk reflekton në esencë ndonjë plan të qartë.

“Sot “Trepçën” e projektojnë sikur ajo rrezikohet nga privatizimi në të ardhmen nga qeveria. VETËVENDOSJE ! angazhohet që përveç ndërrimit të statusit të saj në ndërmarrje publike duhet të bëhet edhe një ligj i veçantë për Trepçën, që do ta bënte këtë ndërmarrje të paprivatizueshme dhe ku do të ndalohej koncesionimi i saj”, ka thënë Kurti.

Ai mendon se Trepça duhet të jetë një ndërmarrje publike e interesit strategjik e kombëtar, e lidhur me Kuvendin, ku vendimet për Trepçën duhen të merren me 2/3 e deputetëve dhe jo me shumicë të thjeshtë. /SHENJA/

Lajme të ngjashme

Back to top button