Shfaqjet shqiptare gjithnjë e më të rralla në Kërçovë

Gjatë këtij viti në Pallatin e Kulturës “Koço Racin” në Kërçovë janë vënë në skenë disa shfaqje artistike në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase por,  përsëri ato janë të pakta në numër. Bëhet fjalë vetëm për Festivalin ndërkombëtar të fëmijëve i cili u mbajt në muajin gusht dhe ishte në tre gjuhë, koncerti i Pashkëve, koncerti i Filarmonisë së Maqedonisë dhe Festivali folklorik shqiptar. Por, kur bëhet fjalë për shfaqje teatrale, drama, komedi ose tragjedi, në Kërçovë, gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë shfaqje teatrale shqiptare, kurse ka pasur vetëm një në gjuhën maqedonase.

Maja Seljanoska, nga sektori për marrëdhënie me publikun thotë: “Ka pasur më shumë shfaqje artistike, shënime përvjetorësh, promovim librash dhe funksionon edhe kinemaja ku shfaqen filma çdo të martë dhe të enjte. Shfaqjet teatrale janë më të rralla. Para disa javësh u shfaq komedia “Gjithë do të jetë një mace e mirë – Lot dhe qeshje” kurse në gjuhën shqipe, për këtë vit nuk ka pasur.”

Shfaqjet teatrale gjithmonë kanë qenë shumë të rralla në Kërçovë kurse drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Adem Karaga, tha që në një të ardhme të afërt shfaqjet e Teatrit Shqiptar të Shkupit do të jepen në të gjitha qytetet e vendit ku ka shqiptar.

“Në aktivitetet tona, ne kemi planifikuar që të gjitha shfaqjet që jepen në Teatrin Shqiptar në Shkup të sillen edhe në teatrot e qyteteve tjera, sigurisht, duke përfshirë edhe Kërçovën. Nëse kjo do të realizohet dhe sa shfaqje do të sillen në Kërçovë varet nga mbështetja që do të marrim nga komuna dhe Ministria e Kulturës, sepse realizimi i një shfaqje kushton. Transporti i aktorëve, skenografia, veshja, këto kushtojnë dhe nuk mund të realizohen pa mbështetjen e tyre. Kjo ka qenë pengesa bazë që shfaqjet e Teatrit Shqiptar, shpesh, nuk janë sjellë në qytetet tjera.” – tha Karaga.

Ndërkohë Qëndrim Rijani, regjisor dhe aktor nga Kërçova por që vepron në Tiranë thotë: “Ai institucion” kërkon ndryshim thelbësor, duke filluar me ndryshimin e emrit te tij dhe më pas duke implementuar një projekt  të mirëfilltë që do ta kthente atë në një qendër kulturore, multifunksionale e cila do të ishte një çerdhe  ku do të gjenin mbështetje të gjithë ata të cilët kanë në ndërgjegjen e tyre parimin se kultura është ajo që ju mëson rrugën “hyjnore” më të dashurve për ta. Ka pasur raste kur aktorët dhe unë vetë e kemi rregulluar skenën, në vend të atyre punëtorëve që paguhen për atë punë aty.” – shton Rijani.

Lajme të ngjashme

Back to top button