BDI: Veteranët e UÇK-së janë të manipuluar

Pas ndodhive të sotme kur ish ushtarët e UÇK-së nuk arritën të takohen me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, BDI ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës thotë që Ahmeti për shkak të aksidentit që pësoi nuk mund të takohej me ata.

Komunikata e plotë:

Bashkimi Demokratik për Integrim ka ripohuar shumë herë gatishmërinë dhe vullnetin e saj për t’i dalë në ndihmë kategorisë së veteranëve të luftës së vitit 2001.

Po kështu ka qenë e hapur në çdo kohë, por gjithnjë në kushte normale, për të diskutuar për të gjitha çështjet që kanë shqetësuar këtë kategori të çmuar, për të cilën Bashkimi Demokratik për Integrim dhe shqiptarët kanë mirënjohje të pafund.

Ashtu siç opinioni është informuar, ka qenë vetë kryetari i partisë z. Ali Ahmeti, i cili ka komunikuar me anë telefoni me përfaqësuesit e një grupi të ish-ushtarëve të U Ç K-së, gjatë një vizite të këtyre të fundit në selinë partiake, më 20 janar 2015, dhe ka caktuar takimin për ditën e sotme, 31 janar 2015.

Fatkeqësisht, aksidenti ku u përfshi z. Ahmeti, vetëm një ditë më pas më datë 21 janar, ka prolonguar të gjithë agjendën e paracaktuar të dy javëve të fundit, përfshi dhe takimin me grupin e ish-ushtarëve, dhe po kështu edhe të gjitha takimet me ambasadorë dhe zyrtarë shtetesh.

Për ne është i pakuptueshëm insistimi i një pjese të përfaqësuesve të këtij grupi ish-ushtarësh, që takimi të zhvillohet me çdo kusht sot, edhe krahas rrethanave të krijuara pas aksidentit që pamundësojnë një takim në kushte normale.

Insistimi i tillë jep për të kuptuar se mungesa e konsideratës për gjendjen shëndetësore të z. Ahmetit dhe për rrethanat objektive pas aksidentit, është pasojë e manipulimit të një grupi të ish-ushtarëve dhe të problemeve të tyre reale, nga struktura dhe individë që nuk u duan të mirën as atyre dhe as Bashkimit Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button