Mimoza Kusari-Lila dhe Valon Saraçini kokëfortë, nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Maqedonisë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje pas bllokadës që iu bënë mallrave të Maqedonisë nga ana e Kosovës. Edhe pas takimit të mbajtur dje mes ministres kosovare së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe atij të Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, nuk është arritur marrëveshje, transmeton KTV.
Kusari-Lila ka thënë se ajo i ka bërë të qartë se Kosova nuk do lëshojë pe, derisa Maqedonia të marrë vendim për heqjen e taksave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa Saraçini  është shprehur se sa i përket bllokadës së miellit, Maqedonia nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, por ka thënë se ata kanë dashur që ta mbrojnë prodhimin e tyre vendor.

Ndërsa nuk ka dashur të komentojë vendimin e qeverisë së tij për vënien e  taksës për qytetarët e Kosovës. Saraçini ka thënë se takimet do të vazhdojnë dhe është shprehur optimist se shpejt do të gjendet zgjidhje për këtë çështje.

Vendimi i Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë për moslejimin e mallrave të Maqedonisë të hyjnë në Kosovë ka nisur së zbatuari në mesnatë. Kamionët që ishin nisur drejt Kosovës me mallra të Maqedonisë janë ndaluar nga doganierët në pikën kufitare në Han të Elezit. Problemet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovarë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button