Maqedonia – a ka fqinj tjerë për probleme?

Bllokimi i mallrave dhe vështirësimi i lëvizjes së lirë mes Maqedonisë dhe Kosovës nuk është burimi i problemit, por vetëm një pasojë e mendjemadhësisë dhe krijimit të problemeve me çdokënd. Ndërkohë nuk dihen të gjitha rrethanat, mbetet të analizohen zhvillimet sipas kronologjisë. 

Fillimisht, Kosova vendosi ta kufizojë importimin e disa mallrave maqedonase, meqë Shkupi nuk e kishte mbajtur premtimin për liberalizimin e importit të miellit prej datës 2 shtator. Të paktën ky është verzioni zyrtar i shpallur nga Ministria e tregtisë së Kosovës, që vjet i ka shitur Maqedonisë mallra në vlerë prej më pak se 30 milionë dollarëve. 

Maqedonia, e njohur për aftësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, shkoi përtej reagimit tregtar, duke e vështirësuar edhe kalimin e udhëtarëve, kryesisht shqiptarë. Përveç pritjeve të gjata në kufi, që i godet edhe shtetasit e Maqedonisë, tani kosovarët paguajnë haraç për t’i vizituar të afërmit, qendrat tregtare ose spitalet e Shkupit. Me gjasë, Qeveria e Maqedonisë nuk mban llogari për të ardhurat direkte në ekonominë e brishtë. Për pritjet e zgjatura në kufi as që bëhet fjalë, meqë ata që presin janë kryesisht shqiptarë, andaj nuk janë brengë e Qeverisë, përfshirë edhe partinë shqiptare që nuk deklarohet si ka votuar për vendimin e këtillë, nëse është pyetur ndopak. 

Këto zhvillime, me shpresë të mbetet me kaq, janë vetëm pasoja. Burimet janë diku tjetër. 

Fillimisht, është e paqartë pse diplomacia kosovare nuk ka vepruar me kohë që të evitohet problemi disavjeçar. Këtu përfshihet Ambasadori i akredituar në Shkup – me detyrë të mbrojtjes së interesave të shtetit të Kosovës dhe jo veprimit politik në oborrin partiak shqiptar. Përgjegjësi mbajnë edhe ministritë përkatëse, që nuk dihet se çka diskutojnë në takimet e shpesha nëse jo për çështjet si kjo.

Me përjashtim të Serbisë, pushteti aktual në Shkup i ka prishur raportet me të gjithë fqinjët tjerë. Reagimi i flaktë vetëm se e shprehi edhe një herë ndjenjën superiore ndaj Kosovës, që ushqehet pa arsye nga padroni i koalicionit qeveritar. Fatkeqësisht, frustracionet nga fqinjët tjerë tani i faturohen Kosovës, duke e shkelur atë që nga samitet presidenciale deri tek klasifikimet statistikore. 

Në këto 22 vite të ekzistimit si shtet, Maqedonia asnjëherë nuk ka aplikuar masa të këtilla, madje as në rastet e bllokimit total ose embargove disavjeçare me pasoja fatale për ekonominë e vogël. Qeverisë nuk i bën përshtypje as vëllimi i eksportit drejt Kosovës – pothuajse 400 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar. Kjo do të thotë se ekonomia e Maqedonisë humb të paktën një milion dollarë në ditë nga bllokimi, arsye kjo mjaft e fuqishme për të kërkuar zgjidhje të menjëhershme të problemit. 

Embargoja kosovare ndaj të gjitha mallrave të Maqedonisë megjithatë mbeti në sferën tregtare dhe nuk i prek njerëzit, të paktën jo në mënyrë direkte. Kuptohet, dëmi i shkaktuar do të paguhet pikërisht prej qytetarëve në dy anët e kufirit – qofshin ata që marrin rroga në Maqedoni falë prodhimeve të eksportuara, ose atyre në Kosovë që ballafaqohen me zgjedhje të kufizuar të mallrave. Natyrshëm, humbjet llogariten edhe nga grupet e biznesit dhe gjysëm publike, gjithmonë të afërt me pushtetin. 

Përtej Bllacës, ngjarjet e fundit do të kenë efekt bumerangu në raport me Brukselin, që rregullisht deklarohet si synim i qeverisë në Shkup dhe asaj në Prishtinë. Ecuria e zgjedhjes së këtij problemi është diametralisht e kundërt me frymën e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë. Këtu, veprimi destruktiv i Maqedonisë mund të trajtohet si shembull se si nuk duhet vepruar ndaj fqinjëve, përfshirë edhe superioritetin e rrejshëm ndaj Kosovës së pakonsoliduar, si dhe absurdin e joshjes së afaristëve si Subrata Roj ndërkohë që prishen raportet me destinacionin kryesor të mallrave të Maqedonisë.

Për fund, kriza e çastit e dëshmoi edhe një herë takatin e partisë shqiptare në pushtetin e Maqedonisë. Të rregullt në dërgimin e telegrameve qoftë edhe për sukseset sportive të reprezentacionit shtetëror, roli i tyre u kufizua vetëm në deklaratë shtypi nga një organizatë gjysmë-qeveritare. Fakti që grupacionet si ky dhe mediet pro-qeveritare nuk i thërrasin funksionarët shqiptarë të ndërhyjnë, flet se edhe ata janë të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre, të fshehur pas slloganeve patriotike. Mbase të zënë me problemin e emrit për të cilin nuk i pyet askush, janë harruar shpejtë premtimet për një Beneluks ballkanik dhe kalim kufiri vetëm me letërnjoftim. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button