Institucionet në Maqedoni nuk tregojnë ku dhe si i harxhojnë paratë!

Transparenca e institucioneve në Maqedoni është në nivelin më të ulët të mundshëm, madje ajo kryeson listën, jo vetëm të shteteve të rajonit, por edhe më gjerë sa i përket mungesës së transparencës mbi shpenzimet financiare të institucioneve shtetërore.

Kështu thonë të dhënat e Qendrës për Analiza Ekonomike, sipas të cilës, nga 92 institucione që shfrytëzojnë fonde nga buxheti i shtetit, vetëm se një ose dy kanë dorëzuar raporte edhe atë jo të plotë mbi harxhimet e bëra.

“Analiza që kemi realizuar, tregon se vetëm 3 institucione kanë publikuar shpenzimet financiare apo janë transparente. Buxheti është pasqyra e politikës fiksale të një qeverie andaj për funskionimin e saj normal është me rëndësi transparenca, hartimi i politikave buxhetore dhe shpenzimet që bëhen për realizimin e tyre, por kjo fatkeqësisht mungon në rastin e Maqedonisë”.

“Ne jemi në grupin e shteteve që ofrojnë të dhëna minimale mbi shpenzimet buxhetore. Pra, ne jemi në fund të shteteve në rajon, por edhe më gjerë“, thotëBorçe Trenevski.

Edhe njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se Maqedonia jo vetëm që ka ngecur, por është lidere sa i përket mungesës së transparencës.

Izet Zeqiri, ish deputet dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se mungesa e transparencës vërehet që nga miratimi i buxhetit të shtetit.

“Jotransparenca mund të shihet edhe gjatë hartimit të buxhetit të Maqedonisë që sillet në rreth 3 miliardë euro, por jotransaprenca më së shumti mund të vërehet gjatë harxhimit të parave publike”.

“Maqedonia është i vetmi vend ku Kuvendi, pra institucioni që kontrollon punën e qeverisë, nuk i shqyrton apo aspak nuk i analizon raportet e revizionit shtetëror ku në mënyrë qartë përbajnë të gjitha dobësitë apo lëshimet që i bëjnë institucionet gjatë shpenzimit të parave publike“, thotë Zeqiri.

Ai vlerëson se mungesa e transparencës është e lidhur ngushtë me korrupsionin. “Aty ku nuk ka transparencë, kuptohet se lulëzon korrupsioni”, thotë Zeqiri.

“Normalisht se ajo është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me aktivitete jolegale. Jotransparenca është e lidhur me korrupsionin e bardhë dhe të zi që ekziston në Maqedoni. Kur them korrupsioni i bardhë, mendoj në nepotizmin, kronizmin, kurse për korrupsionin e zi mendoj në përfitimet financiare që bëhen në emër të parave publike dhe të partive që janë në pushtet“, thotë Zeqiri.

Raporti i Qendrës për Analiza Ekonomike mbi jotransparencën e institucioneve, ka alarmuar edhe ndërkombërët, të cilët kanë kërkuar më shumë rezultate nga ana e qeverisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian Aivo Orav, ka thënë se transparenca nuk duhet të shihet si kusht kyç vetëm për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Kjo është gjëja kryesore që duhet të bëjnë të gjitha shtetet moderne dhe shoqëritë demokratike. Nuk mjafton të tregohet se sa para harxhon apo kursen shteti, por, si dhe për çfarë i harxhon ato dhe cilat do të jenë rezultatet”, ka deklaruar ambasadori Orav.

Lajme të ngjashme

Back to top button