Monstra, 6 protestues dënohen me nga 2.5 vjet burg

Gjykata e Apelit ka vërtetuar fajësinë e 6 protestuesve kundër rastit “Monstra”, të arrestuar gjatë protestave masive të verës së kaluar. Apeli ka pranuar pjesërisht ankesën e 6 të akuzuarve dhe u ka hequr nga 6 muaj secilit, nga dënimi prej 3 vjetësh të Gjykatës së Shkallës së Parë. Kjo do të thotë se 4 nga 6 të akuzuarit të cilët u liruan për shkak të mungesës së vendimit të apelit, duhet të rikthehen në burg dhe të vuajnë dënimin. Pas marrjes së vendimit, në televizionin Alsat ka arritur reagimi i familjarëve të të dënuarve, të cilët kërkojnë zbatim jo-selektiv të ligjit.

“Familjet e të dënuarve në protesta kërkojnë që pushteti të lejojë që ligji të zbatohet njësoj, si në rastin e “Gjorçe Petrovit” ashtu edhe në rastin “Monstra”, dhe ligji të zbatohet njësoj si në Tetovë ashtu edhe në Shkup. I bëjmë apel partisë në pushtet, të mos e keqpërdorë votën e qytetarëve për interesa personale”, njoftojnë familjarët e të dënuarve.

Kujtojmë se për shkatërrimin e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov në vlerë prej rreth 1 milion eurosh, gjykata nuk dënoi me burg asnjë prej protestuesve maqedonas. Për protestat kundër rastit “Monstra” në Tetovë, Gjykata e Tetovës dha vetëm dënime me kusht për të akuzuarit. 6 protestuesit e arrestuar në Shkup, Muharem Bardhi, Adem Abdullai, Muharrem Isa, Rami Buçi, Arian Rexhepi dhe Enur Iljazi u dënuan fillimisht me 3 vjet burg, ndërsa pas ankesës, dënimi u ul në 2 vjet e gjysmë.

Lajme të ngjashme

Back to top button