Mustafa: Jabllanoviç, shkarkohet vetëm nëse shkel ligjin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaron se ministri Aleksandar Jabllanoviç do të largohet nga qeveria nëse konstatohet se ai ka bërë shkelje ligjore apo kushtetuese.

“Nuk do të ndërmerret asnjë veprim lidhur me këtë. Është bërë një bujë shumë e madhe për ministrin për Kthim dhe Komunitete, e cila nuk meriton të bëhet, sepse ne kemi probleme shumë më të mëdha që duhet t’i zgjidhim dhe nuk duhet të fokusohemi vetëm aty. Çështja e raportit me ministrin do të jetë çështje e raportit mbi bazën kushtetuese dhe mbi bazën ligjore. Në qoftë se është shkelur Kushtetuta, është shkelur ligji, atëherë masat ndërmerren”, ka deklaruar Mustafa.

Kryeministri kosovar ka mohuar edhe zërat se ai po negocion me Listën Serbe që ata të largojnë Jabllanoviç nga qeveria dhe si shpërblim të marrin postin e zëvendësshefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Mustafa ka thënë se objektiv i tij është ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin dhe integrimi i të gjitha minoriteteve.

“Objektivi ynë është që ne të ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e vendit, të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha viset e Kosovës, edhe në veri edhe në jug. Të krijojmë ura edhe me komunitetet në mënyrë që ata t’i integrojmë, që të mos merremi gjatë me problemet e ndarjes që kemi. Kjo do të na ndihmojë që t’i përballojmë edhe këto probleme. Sepse ndryshe do ta kishim shumë lehtë, meqë nuk është problem të nënshkruaj një vendim edhe t’i them dikujt se nuk je ministër. Por problem është sesi ne duhet të menaxhojmë situatën, që ne të integrojmë njerëzit që t’u japim vullnet që të ndjejnë pushtetin e Kosovës, siç e ndjejnë gjithë ministrat e tjerë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa është pyetur edhe rreth mundësisë së diskutimit në dialogun e Brukselit çështja e Trepçës, Postës apo prona të tjera. Por kreu i ekzekutivit është përgjigjur shkurt, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë në asnjë rast.

Mustafa i ka bërë këto komente gjatë një vizite në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka vizituar Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar lehtësira ekonomike për bizneset e reja si dhe përshkallëzim të Tatimit të Vlerës së Shtuar./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button