Presidenti i Italisë, dështon edhe votimi i tretë për zgjedhjen

Mbyllet pa asnjë rezultat, edhe dita e dytë e votimeve të Parlamentit italian për Presidentin e Republikës. Dy dhomat e Parlamentit, të mbledhura së bashku, pas tre votimesh nuk arritën të nxjerrin emrin e Presidentit të ri të Republikës italiane, pas dorëheqjes së Giorgio Napolitanos, i cili mbuloi për gati nëntë vjet postin më të lartë të shtetit.

Gjatë tre votimeve të para, ku duhen votat e dy të tretës së Parlamentit (673 vota) mbizotëruan votat e bardha. Ashtu siç pati paralajmëruar kryeministri Matteo Renzi, deputetët e partisë së tij do të votojnë vetëm duke nisur nga votimi i katërt e tutje, kur mjafton shumica absolute, praktikisht 505 vota.

Kandidati më i mundshëm për postin e Presidentit, me gjithë kundërshtimin e “Forza Italia” të Silvio Berlusconit, mbetet Sergio Mattarella, i propozuar nga të majtët. Bëhet fjalë për një personalitet mjaft të rezervuar, që vjen nga “Demokracia Kristiane”, i vlerësuar për seriozitetin e treguar në punën e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Ka qene pesë herë ministër dhe, kur drejtonte dikasterin e Mbrojtjes, ka arritur atë që shumë përpara tij nuk e kishin bërë dot: heqjen e detyrueshme të shërbimit ushtarak.

Pas dështimit të votës së tretë, kryeministri Renzi deklaroi se shpreson që të gjendjet një marrëveshje. Ka kohë deri të shtunën në mëngjes, kur nisin sërish votimet për të zgjedhur Presidentin e 12 të Republikës italiane. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button