Ahmeti e Thaçi kanë më shumë mungesa në kuvend

Liderët e partive politike shqiptare Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ruajnë rekordin e mungesave në Kuvend. Sipas raportit për aktivitetin e deputetëve “Deputeti im” i cili publikohet çdo 6 muaj, lideri i BDI-së zë vendin e parë për mungesa të arsyeshme, me 47 të tilla.

Pas tij janë deputetët e partisë së tij, Hazbi Lika me 45 dhe Ermira Mehmeti me 38, e cila gjatë kësaj periudhe ka qëndruar për studime në Amerikë. Në vend të 4-rt për mungesa është lideri i PDSH-së me Menduh Thaçi, i cili e ka arsyetuar 33 herë mungesën e tij në seancat parlamentare. Përveç kësaj, deputetët shqiptarë të dy partive politike mbajnë edhe rekorde të tjera pasiviteti. Mes 6 deputetëve me më së shumti diskutime në seancat plenare nuk bën pjesë asnjë deputet shqiptar, ndërsa kësaj liste i prin deputetja e pavarur Roza Topuzova Karevska me 38 diskutime. Pasivitetin e të zgjedhurve nga elektorati shqiptar e dëshmon edhe statistika e replikave dhe kundër-replikave, në krye të së cilës gjithashtu nuk ka shqiptar. Edhe këtu prin Roza Topuzova Karevska me 61 replika.

Deputetët e partive BDI dhe PDSH prijnë listat negative për pasivitet, me 8 deputetë shqiptarë që nuk kanë diskutuar asnjëherë në periudhën maj-dhjetor 2014. E vetmja gjë pozitive nga puna e deputetëve shqiptarë në Kuvend është numri i ligjeve dhe amendamenteve të propozuara. Talat Xhaferi me 5 propozim/ligje është në krye të kësaj liste, i ndjekur nga Ilija Dimovski i VMRO-së me 4 pr/ligje. Sa i përket amendamenteve të propozuara, grupi parlamentar i PDSH-së udhëheq listën me rreth 270 amendamente, por asnjë prej tyre nuk është pranuar nga deputetët e shumicës.  Gjatë periudhës maj-dhjetor 2014, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 29 seanca parlamentare, 26 kanë përfunduar dhe 3 mbeten pezull. Njëra prej seancave të papërfunduara është seanca për verifikimin e dorëheqjeve për 31 deputetët e LSDM-së, e cila mbetet pa epilog për shkak të kalkulimeve politike mes dy partive më të mëdha maqedonase.

Lajme të ngjashme

Back to top button