Rexhepi: Përkrah Ligjit që dënon, xhihadistëve duhet tu shtrihet dora

Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi insiston se përkrah Ligjit që dënon personat pjesëmarrës në luftëra jashtë vendit, duhet miratuar edhe program risocializues për xhihadistët e kthyer nga Siria dhe Iraku. Në emisionin e mbrëmshëm “Rruga Drejt”, Rexhepi  shpjegoi se plani risocializues i propozuar nga BFI-ja nuk nënkupton zëvendësimin e ligjit aktual. Sipas tij, të dyja masat mund të aplikohen paralelisht ndërsa riedukimi, të zhvillohet edhe në burg, transmeton Alsat-M.

“Nuk i kontestojmë normat sanksionuese sepse ato tashmë janë miratuar dhe janë të plotfuqishme por përskaj atyre normave, përskaj jetës së tij si i burgosur, si i privuar nga liria, do të ishte mirë që të lejohet që në forma të ndryshme ai ta vuan dënimin, por njëherësh edhe t’i bëhet riedukim, t’i shtrihet dora e ndihmës, të jemi së bashku me hallet e tij duke shpresuar qe ai njeri do të kthehet në jetën normale dhe do të jetë një qytetar sikur gjithë qytetarët e tjerë”, tha Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

“Për fat të keq them se një pjesë e njerëzve tanë u përfshinë në atë luftë të pakuptimtë e cila nuk ka fare lidhje me islam, me fe e me xhihad. Por ajo shihet, çdo ditë e më tepër vjen duke u zbërthyer se atje janë të koncentruar një grup i madh kriminelësh nga e gjithë bota dhe ato që e koordinojnë dhe e udhëheqin kanë imagjinuar një farë shteti islamik”, deklaroi Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

Projekti i BFI-së i është dorëzuar kryeministrit Gruevski, institucioneve relevante të brendshme dhe ambasadave të huaja në Maqedoni. Deri tani është prononcuar vetëm Ministria e Brendshme, e cila thotë se për sa kohë është në fuqi ligji aktual për pjesëmarrësit në luftërat e huaja, MPB-ja do të jetë e detyruar të veprojë vetëm në suazat e asaj që parashikon ligji.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button