Lufta tregtare Kosovë-Maqedoni, kërcënim për marrëdhëniet politike

Në çdo luftë tregtare, në fund ka vetëm humbës, vlerësojnë ekspertët pasi pas Serbisë, edhe Kosova vendosi t’i kundërpërgjigjet Maqedonisë për importin e kushtëzuar të grurit dhe miellit.
 
“Kosova është treg që na pranon ashtu siç jemi. Prej nesh nuk kërkon plotësimin e kritereve të larta dhe standardeve për kualitet. Në këmbimin tregtar me Kosovën, Maqedonia ka suficit, që, para së gjithash,  është rezultat i eksportitt të derivatave të naftës. Por gjithsesi këtu bëjnë pjesë edhe të gjitha ato produkte për të cilat nuk mund të sigurojmë plasman të plotë në tregjet tjera, siç janë vera, duhani, produktet konditore dhe perimet”, thotë për “Portalb”-in, Menderes Kuçi, njeriu i parë i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
 
Me vendosjen e barierave tregtare, Maqedonia nuk do ta zgjidhë problemin e moskonkurrencës, por mund të krijojë armiq “tregtarë” siç është rasti me Kosovën, vlerëson deputetja dhe kryetarja e Komisionit për bujqësi, Lençe Nikollovska.
 
“Prodhimtaria vendore nuk mbrohet me vendosjen e barierave kufitare, me shkeljen e marrëveshjeve për këmbim tregtar. Prodhimtaria vendore mbrohet kur politikat e qeverisë do të mundësojnë që bujqit të kenë repromateriale më të lira me çka edhe produktet e tyre do të jenë konkurrente me ato që importohe. Nuk mund të prisni nga bujqit e Maqedonisë të kenë prodhimtari konkurrente kur ata lëvrojnë me naftë e cila është dyfish më e shtrenjtë se sa nafta që e shfrytëzojnë bujqit e rajonit. Poashtu, bujqit e Maqedonisë me vite ankohen nga plehërat dhe mjetet mbrojtëse që janë jokualitative dhe të shtrenjta, e që shtrenjtojnë prodhimtarinë, ndërsa subvencionet u vonohen për një vit të plotë. Konkretisht e kam fjalën për grurin.
 
Ky është viti i tretë me radhë që Maqedonia mundohet me import të kufizuar të grurit dhe të miellit ta mbrojë prodhimtarinë vendore. Por, këtë vit, Serbia paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet me masat a saj, ndërsa Kosova brenda natës vendosi bllokadë tregtare për produkte të caktuara. Eskpertët thonë se Prishtina zyrtare, megjithatë është dashur t’i paralajmërojë autoritete maqedonase e me këtë edhe kompanitë nga Maqedonia dhe Kosova që bashkëpunojnë ndërmjet tyre.
 
“Nëse shohim prapa, Maqedonia në kontinuitet tashmë tre vite e përdor masën për import të kushtëzuar të grurit dhe miellit. Sipas disa informatave, thuhet se më 2 shtator pala maqedonase është dashur ta heqë barierën tregtare si rezultat i “marrëveshjes xhentëlmene”, por kjo nuk ndodhi. Konsideroj se kjo “luftë tregtare” është në dëm edhe të kompanive maqedonase edhe të atyre kosovare, edhe njëra palë edhe tjetra kanë humbje. Humbës më të mëdhenj do të jenë bujqit”, vlerëson Kuçi dhe shton:
 
“Sipas meje Kosova është treg atraktiv për produktet e Maqedonisë, por edhe fqinj me të cilin kemi marrëdhënie korrekte dhe të ngrohta. Mendoj se politikat e këtilla në të ardhmen mund të ndikojnë në luhatjen e këtyre marrëdhënieve”, gjegjësisht “ku ka politikë – nuk ka ekonomi dhe kushte reale të tregut, që gjithsesi është gabim”.
 
Si të mbrohet prodhimtaria vendore
 
Me protekcionizëm nuk mund të mbrohet prodhimtaria vendore, dhe këtë e vërteton gjendja delikate në të cilën u gjend Maqedonia, vlerëson deputetja Nikollovska:
 
“Qeveria serbe, bujqve ua ka paguar 90% të subvencioneve, ndërsa prej 1 shtatorit tashmë kanë në dispozicion naftë me çmim 50% më të lirë se sa çmimi i rregullt, dhe në mënyrë plotësuese edhe regres për farërat dhe plehërat. Kur bujqit tanë do të kishin kushte të këtilla për prodhimtari, atëherë edhe çmimi i prodhimit do të ishte më i ulët dhe do t’u përgjigjet çmimi i shitjes të cilin tani ua ofrojnë mullisat. Kjo është një masë afatgjate për të mos ardhë në situata të këtilla delikate të cilat seriozisht mund ta rrezikojnë eksportin e produkteve të Maqedonisë”, thotë Nikollovska për “Portalb”-in dhe shton:
 
“Pëndryshe, Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural parasheh disa masa të cilat mund t’i ndërmarrë qeveria  kur ka çrregullim të tregut. Njëra prej tyre është blerja intervente e grurit për rezervat shtetërore të mallrave ose përkrahje për bujqit për magazinim të grurit. Në këtë periudhë, kjo është zgjidhja e vetme që të shpëtohet rekolta e sivjetme dhe t’u ndihmohet bujqve.”
 
Qëndrim të ngjashëm kanë edhe në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore:
 
“Që të zhvillohet dhe të mbrohet prodhimtaria vendore bujqësore nuk nevojiten masa ‘protekcioniste’, por strategji konkrete për zhvillim. Në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore insistojmë dhe propozojmë të gjendet mënyrë që të shfrytëzohen paratë nga të gjitha fondet evropian që janë në dispozicion për bujqit. Ne tani ballafaqohemi me humbjen e parave nga këto fonde ose me shfrytëzimin e tyre minimal. Vlerësimi im është masë më protekcioniste se importi i kushtëzuar nuk ka”, thotë Kuçi.

Maqedonia nga Kosova importon vetëm 3% miell, ndërsa 90% është miell nga Serbia dhe 7% nga Bosnja dhe Hercegovina. Kosova është njëra nga vendet e rralla me të cilat kemi suficit. Në shtatë muajt e par kemi eksportuar mallra në vlerë prej 160 milionë dollarësh, ndërsa importi është pothuajse dhjetë herë më i vogël.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button