Rriten gjasat për pranimin e kandidatëve shqiptarë në ASHAM

Dy gjuhëtarëve Havzi Mustafa dhe Qemal Murati përfliten si kandidatura me korrespondencë në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë. Sipas disa njoftimeve këta nuk ajnë të vetmit dhe se ka edhe kandidatë të tjerë, shkruan Gazeta Koha.

I pari është profesor në Katedrën e Gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik të Shkupit, ndërsa Murati është punonjës shkencor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore. Të dy propozimet janë dhënë me vendim të Këshillit të ITSHKSH, i cili disa vjet më parë – propozoi historianin Ramiz Abdyli, kandidatura e të cilit u refuzua, ashtu si edhe gjuhëtarin Qemal Murati, vitin e kaluar. Në Këshillin e ITSHKSH-së pohojnë se janë paraqitur me kandidatura serioze dhe besojnë se propozimet e tyre do të pranohen këtë herë nga ASHAM. Këtë vit, ASHAM ka ndryshuar edhe mënyrën e pranimit, duke shpallur konkurs jo për pranim të drejtpërdrejtë, por për anëtarë me korrespondencë, të cilët pas tre apo katër vjetësh, kanë të drejtë të konkurrojnë edhe për anëtarë të rregullt.

Sipas një prej akademikëve shqiptarë, Alajdin Abazi, kriteret për këto lloj pranimesh, sidomos për anëtarët me korrespondencë, janë më fleksibile dhe gjasat për anëtarësime janë më të mëdha. “Konkursi është hapur dhe nuk kam dijeni se cilat janë kandidaturat nga pjesa shqiptare, por për këto lloj konkursi për anëtarë me korrespondencë, shanset janë më të mëdha për t’u pranuar, pasi edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, janë më fleksibile.

Por se edhe shqyrtimi i këtyre kandidaturave bëhet edhe nga sektorët e Akademisë. Është një mundësi e mirë për t’u pranuar më shumë persona, sidomos më të rinj, të cilët më vonë mund edhe të bëhen anëtarë të rregullt, përkatësisht pas katër vitesh”, thotë Abazi. Ndërsa Abdylmenaf Bexheti thotë se rezultati nuk mund të prejudikohet. “Personalisht edhe unë kam motivuar edhe disa të tjerë që besojnë se janë në përgatitje të aplikacioneve.

Tash ka ndryshuar edhe sistemi, nuk ka pranim të anëtarëve të rregullt, por pranimi shkon përmes një faze për anëtarë korrespodent. Klimë ka, por asnjëherë nuk mund të ketë ndonjë mekanizëm që mund të prejudikohet për rezultatin”, thotë Bexheti. Pranimi i anëtarëve shqiptarë në ASHAM është problematik. Prej vitesh, si akademikë të rregullt figurojnë Luan Starova, Alajdin Abazi, dhe më vonë akademiku Abdylmenaf Bexheti. Po ashtu, si anëtar i jashtëm është edhe akademiku Ali Aliu. Prej disa vitesh, në konkurset që shpallen nga ky institucion kanë konkurruar vazhdimisht shqiptarë nga sfera të ndryshme, kandidaturat e të cilat janë refuzuar. Sipas një prej akademikëve të frymës progresiste në ASHAM, Mitko Maxhunkov, kriteri i vetëm i pranimit duhet të jetë aftësia dhe asnjë lloj paragjykimi mbi baza nacionale.

“Ky është një konkurs për anëtarë me korrespondencë, të cilët në fakt do të duhet t’i sjellin Akademisë edhe një lloj freskimi. Sa i takon mënyrës sesi do të pranohen, apo refuzohen, këtu asgjë s’ka ndryshuar dhe votimi ‘pro’ apo ‘kundër’ varet nga shumë faktorë. Këtu duhet të kalojnë më të mirët dhe s’ka rezon që për shkaqe që lidhen me përkatësinë etnike, të mos pranohen. Edhe nëse ka nga ato që mund të mendojnë kështu, publikisht askush nuk mund të thotë se bën zgjedhje mbi këtë arsye”, thotë Maxhunkov.

Lajme të ngjashme

Back to top button