fbpx

Egjipt, seri sulmesh në Sinai, 25 të vrarë dhe shumë të plagosur

Të paktën 25 persona kanë mbetur të vdekur gjatë ditës së enjte në Egjipt pas një serie sulmesh në veri të gadishullit të Sinait, ka transmetuar televizionit shtetëror egjiptian.

Një makinë bombë dhe një sulm me mortaja goditën objektiva ushtarake në Sinai, duke lënë të vrarë disa ushtarë. Sulmet e tjera u zhvilluan në qytetin Sheik Zuwayid dhe Rafah, në kufi me Gazën.
Sipas mediave vendase, si autorë të sulmeve dyshohen militantët islamikë.

Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se autobomba ka shpërthyer jashtë një bazë ushtarake në El-Arish, ndërsa sulmet me mortaja kanë pasur si objektiva një hotel ku qëndronin disa forca ushtarake dhe me dhjetëra pika kontrolli.

Ndërkohë bëhet e ditur se mes viktimave ishte edhe një drejtues i ushtrisë, i cili ka mbetur i vrarë në një pikë kontrolli në Rafah, kanë thënë burimet mjekësore dhe të sigurisë. Në një tjetër sulm gjatë ditës së enjte mbetën të plagosur rreth 30 persona.

Gjatë kohëve të fundit, ushtria vendase ka nisur operacione të mëdha në përpjekje për të ndaluar dhunën në rajon, por deri tani ka dështuar. Grupi xhihadist i vetëquajtur “Ansar Beit el-Makdis” është bërë kërcënimi më i madh, duke organizuar shumë sulme ndaj forcave të sigurisë.

Grupi, i cili është zotuar për besnikëri ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, u ka bërë thirrje egjiptianëve që të rebelohen kundër Presidentit Abdul Fatah al-Sisi./ Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close