‘Risocializimi’, Kotevski: MPB-ja do të procedojë në bazë të Kodit Penal

Kundër të gjithë personave që kanë marrë dhe marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, Ministria e brendshme do të procedojë në bazë të Kodit Penal, kështu deklaroi Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski duke komentuar nismën e BFI-së për risocializimin e personave që marrin pjesë në luftërat jashtë vendit. Kotevski thotë se MPB-ja ende nuk është e njoftuar me përmbajtjen e nismës, por shpreh gatishmërinë për të mbështetur nismat për parandalimin e fenomenit.

“Nuk mund ta komentojmë propozimin, pasi që nuk e dimë se cilëve persona i dedikohet. Derisa bëhet fjalë për persona që kanë marrë pjesë në konflikte luftarake, gjegjësisht kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, pa marr parasysh çfarë luftë, atëherë neve ligji na detyron që të njëjtit ti ndjekim penalisht dhe përderisa është në fuqi Kodi Penal, MPB-ja do të procedojë në bazë të Kodit Penal. Jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo propozimi preventiv, për një fenomen të tillë”, tha Ivo Kotevski, Zëdhënës i MPB-së.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi theksoi se plani i propozuar nga BFI-ja nuk bie në kundërshtim me Kodin Penal. Sipas Rexhepit, risocializimi mund të bëhet edhe nëpër burgje.

Ambasadori i Izraelit në vend, Dan Orijan në takimin që zhvilloi me kreun e BFI-së theksoi së Izraeli mbështetë këtë iniciativë. Orijan shtoi se një projekt i tillë është i nevojshëm pasi që si synim ka tolerancën dhe bashkëjetesën.

Në planin e propozuar nga BFI për risocializimin e qytetarëve të cilët marrin pjesë në luftëra jashtë vendit, parashikohet që të njëjtit të punësohen dhe të mbeten pjesë e shoqërisë. I njëjti planë i është i është prezantuar edhe institucioneve shtetërore por edhe përfaqësive ndërkombëtare në vend, prej të cilëve BFI-ja pret mbështetje. Me një ide të tillë kohë më parë doli edhe ish-ambasadori amerikan, Pol Uolers. Ai në emisionin ‘Rruga Drejt’ kishte nënvizuar se ligji për pjesëmarrje në luftëra jashtë vendit, duhet kombinohet duke përfshirë edhe edukimin e të rinjve pasi sipas tij arsyeja për pjesëmarrje në luftëra të tilla në të shumtën e rasteve ka qenë papunësia. /Alsat-M/

Lajme të ngjashme

Back to top button