fbpx

Parlament, heshtje për ndotjen e Jugohromit!

Gjendja alarmante shëndetësore e banorëve të Pollogut si pasojë e ndotjes kancerogjene të Jugohromit, u ngrit si çështje edhe në Kuvend. Deputetja e PDSH-së Merale Uzairi Ferati në seancën për pyetje deputetësh, shpalosi para përfaqësuesve të Qeverisë shifrat që sipas saj dëshmojnë ndotjen qindra herë mbi normale të këtij rajoni, të banuar kryesisht me shqiptarë.

“Se sa shqetësuese, sa alarmante dhe do të kisha thënë sa tragjike është situate në Pollog tregojnë të dhënat e matura nga matjet e shkallës së ndotjes që shkakton Jugohromi së bashku me statistikat të cilat tregojnë rritjen e numrit të sëmundjeve të ndryshme vdekjeprurëse. Sipas të dhënave zyrtare shkalla e ndotjes në Tetovë është për 150 deri në 200 herë më e lartë nga norma e lejuar. Kapaciteti momental i Jugohromit në ditë prodhon përafërsisht 3 ton pluhur”, deklaroi Merale Uzairi Ferati, PDSH.

Deputetja e PDSH-së adresoi pyetjen për ministrin e ambientit jetësor Nurhan Izairi, por nuk mori përgjigje për shkak të mungesës së ministrit të BDI-së në seancën për pyetje deputetësh. Gjatë kësaj seance, deputetja Roza Topuzova Karevska shtroi çështjen e nxjerrjes së miliona eurove jashtë Maqedonisë në mënyrë ilegale, duke u bazuar në raport të institutit Global Financial Integrity. Sipas këtij instituti, vetëm në 10 vitet e fundit, 5.4 miliardë dollarë kanë dalë ilegalisht nga Maqedonia. Zv/kryeministri Stavrevski kërkoi kohë për verifikimin e kredibilitetit të këtij instituti amerikan.

“Nga Maqedonia mesatarisht dalin 521 milion dollarë në vit. Më së shumti para ilegale nga Maqedonia janë nxjerr më 2011, 852 milion dollarë. Më 10 vitet e fundit të përfshira me këtë hulumtim i cili është publikuar në fillim të këtij viti, nga Maqedonia për 10 vite jashtë vendit janë nxjerr 5.4 miliard dollarë, para ilegale”, u shpreh Roza Topuzova Karevska, deputete.

“Duke marrë parasysh se u citua burim i cili në këtë fazë nuk është ndër më relevantët në botë, do të duhet të vërtetojmë burimin dhe metodologjinë e përdorur, për këtë shkak do të përgjigjemi me shkrim”, tha Zoran Stavrevski, Ministër i Financave.

Ndryshe, edhe kjo seancë për pyetje deputetësh filloi me gati një orë vonesë, për shkak të vonesës së zakonshme të kryeministrit Gruevski në seancat parlamentare. Deri sa presin shefin e Qeverisë, të zgjedhurit e popullit gjenin forma të ndryshme për kalimin e kohës. /Alsat-M

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close