Pranvera Imeri: të rinjve duhet të ju besohet më shumë! (Intervistë)

Pranvera ka ndërtuar karrierë të mrekullueshme që fillon me angazhimin si vullnetare në organizata jo qeveritare. Ajo i jep shumë rëndësi edukimit dhe zhvillimit. Neve na tregon sekretin e suksesit. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët! 

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Pranvera, së fundmi ju jeni çertifikuar në temën “Digital Diplomacy, Protocol, Preventive Diplomacy dhe Economic Diplomacy” nga elite French school École nationale d’administration! Shqiptarja e parë në Maqedoni me këtë vlerësim. Të lutem më trego, si ndjehesh dhe çka është ajo më e mira çka vjen pas?
P.IMERI: École nationale d’administration është  një ndër shkollat më elitare në France. Unë isha me fat që pata mundësi që të jem pjesë e specializimit  disa mujore, i cili është realizuar në bashkëpunim me Akademine Diplomatike pranë MPJ-së. Temat që i ka përfshirë programi janë “Digital Diplomacy, Protocol, Preventive Diplomacy dhe Economic Diplomacy”, ka qene një përvojë e jashtëzakonshme, mundësi të ndjekim ligjrata nga diplomat eminent francez, kemi pasur mundesinë të diskutojmë tema të rëndësishme, në sferën e diplomacisë, konfliktet botërore përvojat franceze, vendimet e rëndësishme me të cilat është ballafaquar Franca dhe disa praktika të cilat mund ti implementoj shteti ynë në të ardhmen, edhe pse Franca paraqet qendrën e diplomacisë botërore. Në të ardhmen do të vazhdoj  specializimet  tjera në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.

Duke e parë se sot kemi mbi popullim me magjistra shkencash, si mendoni, a ka humbur vlera e studimit të këtij niveli?
P.IMERI: Siç e dini edhe ju, në Republikën e Maqedonisë, ka disa vite që shkollimi i mesëm është bërë obligativ për gjithë të rinjtë, kjo reformë është bërë me qëllim që popullata të edukohet dhe të ketë më të lehtë në të ardhmen e të siguroj jetesën. Të kesh një rini të edukuar është mirë për shtetin në përgjithësi, mirëpo çdo reformë mund të sjell edhe anën tjetër të themi më pak të pëlqyeshme, e them këtë pasi që sipas meje nëse çdo kush ka shkollim të mesëm, më lehtë e sheh se mund  të kryej një fakultet. Gati çdo kush shkon në fakultet tani, tani ndoshta jemi në atë fazë që edhe secili do të kryej magjistraturë, ndoshta për atë kemi shumë magjistra tek ne. Nuk është e dëmshme të kesh kuadro, kur them kuadro e kam fjalën për kuadro mirë të përgatitur, flas për kualitet . Unë mendoj që ne kemi shumë të rinjë të përgatitur, që me të vërtet e meritojnë titullin magjistër, të njetët duhet ti përkrahim të kyçen në vende të mira të punës, që diturinë e tyre ta implementojnë në praktikë. 

Rrugëtimi i edukimit tuaj ka kaluar edhe nëpërmjet fakultetit të shkencave politike. Jo, jo nuk e shmangim politikën. Si politikane me diplomë a i besoni ndonjërit prej kryetarëve aktualë? Pa diplomaci të lutem!
P.IMERI: Do e kem të vështirë të përgjigjem pa diplomaci, pasi që tani jam mësuar të veprojë dhe komunikoj vetëm ashtu, po do mundohem të jem më direkte. Po jam diplomuar në shkenca politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, dhe jam shumë e kënaqur për këtë vendim që e kam marrë. Pse zgjodha të studioj politikën, siç na thonin profesorët tonë, politika është mbi të gjitha profesionet dhe nëse ty nuk merresh me politikë, politika do merret me ty, në rastin konkret është më e mirë e para. Si politikologe e diplomuar ne jemi edukuar dhe trajnuar që të japim vlerësim për krerët politik, në bazë së mënyrës së lidershipit që ato implementojnë, në veprimin si dhe në vendimet e tyre politike qoftë brenda ashtu edhe jashtë partisë, qoftë kur janë në pozitë ose opozitë. I vlerësoj shumë, liderët aktual të partive shqiptare si Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe liderët e tjerë shqiptarë të secili e jep impakti e tij në skenën politke shqiptare, këtu mund ta përmendi si lider që e respektoj është Presidenti i Maqedonisë, i cili jep një impakt pozitiv veçanërisht me edukimin e liderëve të rinj shtetit  nga ekspert botëror përmes  organizimit të Shkollës për Lider. Lider është ai individ  i cili ka ndjekësit e tij, që e ndjekim në realizim të strategjisë dhe programit politik të subjektit të tyre politik, qoftë ai lloj i  liderit demokratik, pjesëmarrës, vizionar, karizmatik. Gjithë partitë tona kanë anëtarët, simpatizantët e tyre, kjo do të thotë që ato e vlersojnë atë lloj lidershipi, që po e implementojë kryetari i partisë së tyre dhe janë përkrahës së realizimit të vizionit të cilën e përcjell  subjekti politik në fjalë. 

Ju jeni e specializuar në ” Shkollën  Ivanov për Lider të Rinj”. Cilët janë ato detaje që i bëjnë të rinjtë lider për rrethin ku jetojnë?
P.IMERI:
Po kam qenë pjesëmarrëse e “Shkollës për Lider të Rinj” që realizohet nën patronazh të Presidentit të Maqedonisë. Pjesëmarrës të kësaj shkolle janë studentet më të mirë që i ka Maqedonia brenda dhe jashtë shtetit dhe trajnohen nga ekspert botëror, diplomat, ish-president, senator Amerikan, këshilltar presidentësh amerikan në  temën lidership. Të rinjtë i bën lider ndërmarrja dhe organizmi i ndonjë iniciative apo aktiviteti për të mirën e përgjithshme, si p. sh organizmi të aksioneve humanitare, dërgim të ndonjë propozim projekti të përkrahet nga organet shtetërore dhe liderët duhet  ka një vizion të qartë për të ardhmen dhe të sjellin novitete. Një iniciativë të tillë ne e kemi realizuar në nivel ndërkombëtar, në prag të Samitit të NATO-s në shtator 2014 në Mbretërinë e Bashkuar, Ivanov Shkolla për Lider –Alumni Asociacioni  i dërgoi letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, duke shprehur mbështetje për aspiratat e Maqedonisë për t’u bërë antare e NATO-s, këto janë disa mënyra që të rinjtë mund të tregojnë lidership rinor efikas.

Pranvera, cila është ëndrra yte?
P.IMERI:
Secili ka një ëndërr, që i shërben si inkurajim për të vazhduar të prosperoj në jetë, me qëllim të realizimit të vizionit të tij apo thënë ndryshe ëndrrës së tij, se ku e sheh veten në të ardhmen. Mund të ju them se një pjesë e ëndrrës time është realizuar, tani unë jam pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës se Maqedonisë, puna që po e bëj po më plotëson dhe çdo ditë mësoj gjëra të reja në profesion, kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe e plotësuar profesionalisht. Ëndrra ime në të ardhmen është të  kyçem në diplomaci,  më pëlqen jeta diplomatike të njoh kultura dhe gjuhë  të huaja. 

A jeni perfeksioniste?
P.IMERI: Mendoj se jemi në ato që e zgjedhim shprehinë tonë të veprimit dhe kjo na definon a jemi perfeksionist, unë mundohem me përkushtim, me shumë punë dhe angazhim të arrijë ato vizione dhe ato detyra që ja vendos vetes dhe gjithmonë jap maksimumin që ato të realizohen.

Çka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjtë të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?
P.IMERI: Mendoj që jemi në një kohë, ku mediat sociale zënë më tepër vend dhe kanë më shumë ndikim tek të rinjtë dhe shumë ma shpejt informohen sesa nëpërmjet televizionit. Po mediat kanë fuqi të jashtëzakonshme ndikimi, siç e ceka edhe më lartë mediat sociale janë më ndikuese, ndoshta e vëreni se gjithë politikanët e kanë ndryshuar tani strategjinë e komunikimit, ato shfrytëzojnë rrjetet sociale për të informuar për ndonjë reformë, qëndrim politik apo realizim të ndonjë projekti. Po mendoj që edhe programet e mirëfillta televizive kanë ndikim pozitiv në edukimin rinor. 

A është suksesi në punë çelës drejt lumturisë? Si mund të arrijë lumturinë rinia?
P.IMERI:
Patjetër që po, nëse ne do e bëjmë punën që na pëlqen dhe e duam, mendojmë që do e japim më të mirën tonë të mundshme në punën, do kemi një përmbushje shpirtërore dhe kjo mendoj se na bënë të lumtur dhe të dobishëm.

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?
P.IMERI: Prindërit janë ato që janë përkrahja e patjetërsueshme e të gjithë neve, unë kam patur gjithmonë mbështetjen e prindërve të mi, për të arritur aty ku jam sot. Patjetër se të rinjtë duhet të konsultohen me prindërit e tyre, se në momentin që ne duhet të marrim disa vendime, më të suksesshëm do jemi nëse edhe prindërit na ndihmojnë konkretisht na qartësojnë disa gjëra. Vendim se çfarë profesioni duhet të zgjedhim duhet ta bëjmë vetë, nga kjo të fillojmë të marrim përgjegjësi për të gjitha vendime tona në jetë. Unë personalisht jam konsultuar me prindërit por vendimi ka qenë i imi të studioj politikën.

A janë të rinjtë tanë të gatshëm të marrin procese të rëndësishme në shpinë dhe të fillojnë ndryshimin? Ku është zgjidhja?
P.IMERI: Kam qenë aktiviste në sektorin joqeveritar disa vite, në një nga projektet që kam qenë e kyçur në organizim ka qenë një program i Ambasadës Amerikane, në temë “Kyçja e të rinjve në proceset e vendimmarrjes”, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të rinjve të të gjitha partive politike në Maqedoni, sektori joqeveritar, përfaqësues të mediave dhe student. Pas prezantimit të tyre erdha në përfundim, se ne kemi të rinj të cilët ishin të gatshëm të kyçen në marrjen e vendimeve në proceset e rëndësishme mirëpo ende sipas tyre mungon besueshmëria e kuadrove më me përvojë, që atyre tu besohet një punë. Mendoj se në këtë pikë duhet të punohet, me qëllim të ju jepet hapsirë kuadrove të reja në proceset e vendimmarrjes në të gjitha nivelet.

Si duhet të veproj një i ri i pa punë?
P.IMERI:  Jam e vetëdijshme se kohëve të fundit paraqet problem punësimi i të rinjve. Sugjerimi im do ishte që ato të kyçen të bëjnë punë vullnetare, me qëllim që ti zhvillojnë shkathtësitë dhe aftësitë e tyre të punës dhe në këtë mënyrë të kyçen në  vendin e punës. Aktiviteti në sektorin joqeveritar është një mënyrë tjetër, të kyçen në projekte të ndryshme pastaj mundësit e punësimit vetë do paraqiten se krijoni kontakte dhe lidhje. Është një fshehtësi publike, që kuadrot më të përgatitura që kyçen në funksione të larta shtetërore, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga sektori joqeveritar.

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?
P.IMERI:
Mendoj që startup-et gjithsesi paraqesin mundësi për tu ulur papunësinë tek të rinjtë dhe mundësi shumë e mirë, që ti realizojnë idetë e tyre ti implemntojnë në praktik edhe pse fillimi mund të jetë  i vështirë.

Si e shikoni të ardhmen e të rinjve në Maqedoni?
P.IMERI:
Ardhmëria e një shteti patjetër që është rinia  e shëndosh, ata duhet të jenë aktiv në jetën shoqërore, të ndikojnë pozitivisht me veprimin e tyre në shoqëri. 

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?
P.IMERI: Dua të lexoj, çdo herë mundohem të gjej kohë për lexim të ndonjë libri, në përgjithësi lexoj libra politik, që mendoj që më shërbejnë në punën që bëj . Libri im i preferuar është Living History – Hillary Rodham Clinton. Filmi im i preferuar është Iron Lady me tematikë politike, si duket politika me ka ndjek në çdo përgjigje.
Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button