Stërvitja “e izoluar”, zbardhet formacioni i kombëtares

Stërvitje me dyer të mbyllura dhe një situatë jo fort e mirë. Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje seancën e fundit në tokën sllovene, teksa për 90 minuta trajneri Gianni De Biasi i ka kushtuar më shumë rëndësi anës taktike. 

Atë që dje e kishte parashikuar “Panorama Sport”, italiani e konfirmoi me rreshtimin që bëri. Kështu, ai hoqi dorë nga skema 4-2-3-1 dhe iu riktheu variantit klasik 4-4-2. 

Ndryshimet – Nga tre mesfushorët shkatërrues, i sakrifikuari është Ervin Bulku. Mesfushori tiranas ka luajtur dje me skuadrën e rezervave, ndërkohë që De Biasi ia ka besuar qendrën e mesfushës dyshes Basha-Kaçe. Nga ana tjetër, Dallku rikthehet titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Lila spostohet në të majtë të këtij reparti. Për këtë pozicion mund të ketë dilema deri pak orë para ndeshjes, pasi edhe Hysaj është një kandidat. Nga ana tjetër, në qendër të mbrojtjes nuk ka asnjë dilemë, pasi rikonfirmohen Cana dhe Teli. Krahët e mesfushës do të jenë gjithashtu të njëjtë me Roshin dhe Ramën. Gjithsesi, edhe për këto pozicione nuk do të ishte çudi që De Biazi të ndryshonte mendje, duke i dhënë një shans Vilës. Në repartin sulmues Çani do të ketë si partner Salihin. Ky ishte formacioni që u paraqit dje në një lojë brenda grupit. Në ekipin e rezervave ishin Ujkani, Hysaj, Curri, Osmani, Arapi, Vila, Abrashi, Bulku, Gjasula, Januzi dhe Mehmeti.

Taktika – Pas ushtrimeve të zakonshme të nxehjes, në startin e seancës, që nisi në orën 17:35 në kompleksin “Kodeljevo”, trajneri e ndau ekipin në dy grupe. De Biazi u kushtoi më shumë rëndësi goditjeve standarde. Gjithçka u bazua tek Ergys Kaçe, i cili ka kaluar tashmë shqetësimin në kofshë dhe dje nuk pati asnjë problem. Mesfushori korçar ishte ekzekutues i të gjitha goditjeve të dënimit. Shpesh trajneri italian e provonte skuadrën në pozicione standarde, teksa në ndihmë të sulmit ishin edhe Cana e Teli. De Biazi kërkon ta befasojë Islandën me skema si ndaj Norvegjisë. Gjithçka shkoi më së miri për skuadrën, teksa Salihi dhe Çani arritën të shënonin disa herë gjatë lojës. Shpesh trajneri e ndërpriste testin për të udhëzuar lojtarët në fazën ofensive. Ai ka kërkuar më shumë nga Roshi e Rama, duke lënë të kuptohet se loja nga krahët do të jetë një faktor i madh në sfidën me Islandën.

Lajme të ngjashme

Back to top button