Kryetari i RDK-së Memedi takoi përfaqësuesit e lartë të OSBE në Shkup

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi takoi përfaqësues të lartë të OSBE në Shkup këshilltarin politik Seamus Taggart, si dhe zëvendës ambasadoren Marianne Berecz. Në një bisedë mjaft përmbajtjesore kryetari Memedi njoftoi përfaqësuesit e lartë të OSBE në Shkup rreth ndryshimeve të fundit në strukturën partiake të RDK-së, kontinuitetit programor dhe shumë çështje me rëndësi jetike për sigurinë në vend, si dhe hapat që duhet ndërmarrë për të evituar problemet e njëpasnjëshme që paraqiten në vend.

Kryetari Memedi njoftoi përfaqësuesit e lartë të OSBE në Shkup se ideja e kamotshme e RDK-së rreth qeverisë teknike tanimë është shndërruar pjesë e vokabularit të përditshëm jo vetëm të politikanëve në vend, por edhe të diplomatëve të huaj. Ky pushtet, theksoi Memedi, ka akumuluar shumë probleme gjatë qeverisjes së tyre dhe është çështje kohe kur do të eksplodoj ky akumulim i problemeve. Për këtë arsye është shumë emergjente që të formohet një qeveri teknike që do të marri përgjegjësi gjithëpërfshirëse të sfidimit me gjithë këto probleme që janë akumuluar për një periudhë të gjatë kohore. Ky pushtet nuk ka kapacitet të asnjë natyre të ballafaqohet me këto sfida mjaft komplekse që kanë kapluar shoqërinë tonë.

Në të njëjtën kohë, kjo qeveri teknike do të ketë për obligim të zgjidh çështjen e emrit me Greqinë, si pengesë e madhe për rrugëtimin e vendit drejt strukturave euroatlantike, dhe organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, diçka që i ka munguar këtij shteti prej pavarësimit të saj e deri më sot. Në të kundërtën, theksoi Memedi, vendit i kanoset një boshatisje e madhe me largimin e të rinjve nga vatrat shekullore me tendencë që kurrë të mos kthehen këtu.

Lajme të ngjashme

Back to top button