Nga “mitologjia e jetëgjatësive” në një argumentim real!

Në rrugën e komplikuar të mbytjes së naivitetit të “ngulitur” me dekada për të detyruar e stimuluar indiferencën shqiptare në Maqedoni, gjen frikën e trashëguar nga sistemet në të cilat nuk po jetojmë aktualisht.

Një indiferencë, skajuar me joshjet për mendimet individuale, përzier me frikën e të qenit shqiptar në Maqedoni, prodhon këtë jetë të vështirë, detyrimisht sunduar nga padronë të vetë-deklaruar e të përjetshëm. Padronë që gjithsesi, kjo përzierje frikë-indiference, i ka prodhuar.

Pra, si kurrë më parë, shqiptarët këtu po merren me veten e tyre, me një barrierë që gjendet brenda dhe para tyre e që me pa vetëdije e krijuan, aq shumë e hiperbolizuan sa i mbollën rrënjët në “mitologjinë e jetëgjatësisë”. Nga kjo “marrja me veten”, e mostejkalim i vetvetes, që me dekada përpiqemi të bëjmë, qëndron realisht thelbi i tranzicionit (transformimit) që po na zgjat gati pambarimisht.

Të merresh me veten, do të thotë të shikosh në prizmin individual çdo gjë, madje çdo veprim shoqëror. Të shikosh shoqërinë që po vuan, nga prizmi i mirëqenies tënde, do të thotë një pamje thellësisht indiferente, burim vesesh hipokrite si rrjedhojë anti-intelektuale, që rezulton me individ që kënaqet me arritjet e tij, e që duket i qeshur mes këtij depresioni social.

Kjo moskoherrencë me veten në radhë të parë, për të parë qartësisht dukurinë e shoqërisë shqiptare, vdes fatkeqësisht çdo guxim intelektual, bën shit-blerës çdo faktor aktual shoqëror dhe bën vlerë – antivlerën. Prandaj, shqiptarët sot nuk janë të përfaqësuar nga vlera, por udhëhiqen nga ata që posedojnë vetëm shikimin shkurtpamës të çështjes individuale.

Dhe çdo argument nga ky peizazh faktik, mund të sulmohet e hidhet poshtë, fatkeqësisht aq lehtësisht, nga ndonjë brejtës lirish shqiptare, nga ndonjë faktor që huton peizazhin tonë historik, e nga besimplotët e “perandorit mitologjik” që siç thotë Arbën Xhaferi,kanë krijuar Zotin me tipare njeriu, të një udhëheqësi autoritar –  qoftë ai emir, mbret apo perandor – Zot që ka veti narcizoide e që ka nevojë të papërmbajtur për të qenë vazhdimisht i adhuruar.

Kështu pra, konceptet e sociologjike masive janë aq të përziera e ngatërruara me çështjet individuale, sa mendohet se çdo veprim i sotëm shoqëror do të thotë dënim individual dhe çdo pasojë e tillë individuale shkon në të mirë të një individi tjetër.

Po krijohet kështu prizmi i ngushtësisë së mendimit (normalisht refleksion kohor) sa mendohet se një kauzë shoqërore do të thotë përparim ose jo i një individi. Ky mendim i mbrapshtë, instaluar nga krijuesit e sotëm jo-meritorë të mendimit publik dhe nga udhëheqjet e derisotme jo-dinjitoze politike, sigurisht që duhet të ç’rënjoset një ditë e më parë.

Në këtë realitet të dhimbshëm, pra, humbet çdo vetëbesim për tu përpjekur të ndryshojmë një gjendje të keqe, dhe vjen në shprehje çdo kalkulim hesapesh a bashkimesh “padronash mitologjik” duke lënë në vuajtje gjithë popullin shqiptar.

Mirëpo, ka një shpresë të lindur sot. Ka një shpresë që thërret në tejkalimin e vetes, e çështjes personale. Ka një zë që thotë “Stop njerëzve – Zot”, të shikojmë realitetin e shoqërisë tonë. Të tejkalojmë me maturi kohën e tejzgjatur të këtij transformimi individual-social, sepse kjo kohë gjithsesi duhet të tejkalohet një ditë. Me guximin e plotë të bashkohemi të gjithë vetëm për të mirën e shoqërisë shqiptare në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button