Besa, RDK dhe Lëvizja e Selës afër marrëveshjes për një front të përbashkët opozitarë

Skena politike shqiptare në Maqedoni, së shpejti mund të ketë një front të përbashkët opozitar të përbërë nga lëvizjet e reja politike. Anatemnini i vazhdueshëm i BDI-së që konsiderohet si mburojë e pashembur për shkak të mungesës së një opozite të reformuar, do të ketë përballë një front të bashkuar opozitarë që do të përfaqësohet nga Lëvizja “Besa”, Lëvizja e Ziadin Selës dhe partia RDK. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike thonë se kanë pasur takime ku kanë biseduar mundësin e bashkëpunimit të tyre. Afrim Gashi nga Lëvizja Besa dhe Vesel Memedi nga RDK thonë për Portalb se janë gati për këtë bashkëpunim dhe se presin të formësohet identiteti politik brenda kampit politik të Ziadin Selës.

Afrim Gashi nga lëvizja “Besa” thotë për Portalb se në parim janë të hapur për bashkëpunim dhe këtë e kanë thënë disa herë, madje e kanë dëshmuar edhe me takimet që i kanë pasur me këto dy subjekte.

“Megjithatë, që të mund të flasim konkretisht, do të duhet që së pari lëvizja e Sela të formësohet dhe të marrë identitet, ngase për ne ajo ende është brenda kampit të PDSH-së. Pasi ta kalojë këtë fazë, mund të flasim se si dhe ku mund të bashkëpunojmë”, thotë Afrim Gashi.

Ndërkaq sa i takon Rilindjes Demokratike Kombëtare, kemi marrëdhënie shumë të mira, kemi përafri edhe konceptuale e ideologjike dhe ma merr mendja se me këtë subjekt shumë shpejt mund të kemi edhe marrëdhënie më të ngjeshura bashkërendimi, shton për Portalb Gashi.

Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, thotë për Portalb se deri më tani ka pas disa takime me të dyja iniciativat dhe vullneti për një bashkëpunim opozitar ekziston te të gjithë ata.

Rilindja Demokratike Kombëtare deri më tani e ka bë publike idenë e bashkëpunimit me dy iniciativat e reja që tanimë janë bë publike si iniciativa.

“Ne si RDK presim zyrtarizmin e këtyre dy iniciativave si subjekte juridike që të nënshkruajmë edhe marrëveshje zyrtare për bashkëpunim opozitar dhe koordinim të rrugëtimit tonë të mëtutjeshëm si lëvizje opozitare. Kjo derë e bashkëpunimit opozitar vlen edhe për organizimet tjera qytetare dhe intelektual të lëmive të ndryshme, që ndjejnë nevojë për ndryshime në këtë organizim shoqëror të vendit. Nevoja është shumë e madhe për unifikimin e faktorit politik shqiptar, dhe besojmë fuqishëm se kjo do të realizohet sepse është domosdoshmëri e pakontestueshme” shprehet ai.

Ndërkaq, një takim me qytetarët e Turçanit të Vogël para disa ditëve të pranishëm kanë qenë kreu i RDK­-së Vesel Memedi dhe Arben Taravari, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Ziadin Selës. Në këtë takim siç mësohet është diskutuar rreth bashkëveprimit dhe unifikimit të opozitës shqiptare. Simpatizantëve dhe entuziastëve Veseli ka folur mbi zhvillimet aktuale në vend, derisa Taravari, fillimisht përshëndeti këtë nismë të bashkëveprimit opozitar dhe u zotua se me këtë ritëm do të vazhdohet edhe në të ardhmen.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button