Dibidus Republika

Fjala Dibidus, besoj se të gjithë e keni dëgjuar dhe e keni përdorur ndonjeherë në fjali. Mu kujtua si titull shumë i mirë për kolumnën që vendosa ta shkruaj prandaj edhe bëra pak research për këtë fjalë. Sipas të dhënave gjithmonë të besueshme të internetit, burimi i saj qenka nga turqishtja, megjithëse si i vogël mendoja që është dibrançe. Fjalë e një turqishteje të ballkanizuar, dhe përgjatë ballkanizimit me siguri i ka ndryshuar edhe rrënja e fjalës dhe është bërë dibidus. Megjithatë kuptimi mbetet po ai. Dibidus do të përkthehej: gjithcka, tërësi, plotësisht. Por në pejorativ, me konotacion negativ. Pra më mirë thënë: asgjë, aspak, assesi. Mbaj mend në shkollë kjo fjalë ishte shumë e përdorur. Nëse ndonjë nxënës nuk kishte mësuar, menjëherë merrte epitetin – Dibidus.

Kur jemi te shkolla, kujtoj protestat e arsimtarëve të shkretë, të cilët megjithë rrogat e mjerrueshme që ju paguhen, duhet të marrin edhe kredite për të paguar borxhet ndaj shtetit, që i ka dënuar sepse testimi ekstern ka treguar deviacione mes notimit të tyre dhe notimit ekstern. Por nëse dihen mangësitë e testimit ekstern, duke nisur nga formulimi i pyetjeve, te kompjuterat që nuk funksionojnë ose thjesht nuk ekzistojnë ngaqë janë vjedhur, e deri te përkthimi i turpshëm dhe qesharak i pyetjeve, me një fjalë – kur testimi ekstern është dibidus, edhe notimi i tij është dibidus, rrjedhimisht edhe dënimet e arsimtarëve janë dibidus. Janë kot. Njejtë sikur janë dibidus edhe testimet eksterne për univerzitetet – totalisht dibidus.

Po pse vallë sillen të tilla vendime ndëshkuese, në të tilla ekspedita ndëshkuese – mbi 8000 arsimtarë të dënuar – megjithëse edhe Ministria e Arsimit edhe drejtorët e shkollave edhe Qeveria i dijnë dhe i kanë pranuar mangësitë e testimit ekstern. Pse nuk suspendohen për një kohë të caktuar testimet përderisa nuk rregullohen problemet e dukshme? Pse nuk anulohen edhe dënimet? Si është e mundur që digasteri që është përgjegjës për mbarëvajtjen e arsimimit të sjellë vendime të gabuara, t’i ratifikojë ato megjithëse i din dobësitë dhe mangësitë, dhe mbi të gjithat të demotivojë arsimdhënësit me dënime dibidus. Si mundet të mos e kuptojnë që një arsimtar i demotivuar nuk mund të përcjellë motivim dhe arsimdashje tek fëmija? A nuk e kanë të qartë që ky demotivim mund të sjellë në krijimin e një dibidus gjenerate?! Kjo është gjëja e fundit që i duhet këtij vendi, edhe një tjetër dibidus gjeneratë, edhe lirisht do e ndërrojmë emrin në Dibidus Republika.

Mua më duket e frikshme kjo situatë. Më ngrihen morrnicat nga ideja e një gjenerate tjetër të dështuar, pasojë e indolencës dhe e papërgjegjësisë së një aparati qeverisës që sjell vendime dhe bën veprime të shpejtuara, drejt reformave arsimore të pabazuara në studime empirike, të nxitura potencialisht nga përfitime joetike financiare, hipokrite krye e fund. Veprime dhe vendime të gabuara.

Mesazhi im është që të motivohen mësimdhënësit për të punuar me gjeneratat e reja duke ju hapur atyre diapazone moderne të mësimdhënies, e jo të detyrohen nën presionin e vendimit të ardhshëm dibidus të një qeverie dhe ministrie që ka humbur pusullën… Në një botë si e jona që sa vjen e po kompjuterizohet dhe me perspektivën e të ashtuquajturës intelegjencë artificiale, sistemet edukative duhet të pësojnë ndryshime dramatike për formën dhe mënyrën në të cilën ushqejnë kreativitetin e nxënësve. Shkollat e të sotmes duhet t’i sigurojnë njerëzimit epërsinë e mendjes njerëzore duke ndryshuar sistemin mësimor nga ai I të mësuarit nga të tjerët në një sistem që do të krijonte mendje që mund të mendojnë vetë në mënyrë kritike. Reformat qeveritare duhet të jenë të orientuara në këtë drejtim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button