fbpx

Protestat në Kosovë, sukses për Serbinë

Të vetëdijshmit nuk mund të mohojnë mosbindjen e popullit shqiptar-kosovar ndaj armikut serb e se koston e shtetit të pavarur e pagoi me shumë jetë… Po ky popull tregoi se di të falë: përveç lirive të tjera, i mundësoi pakicës (dikur armike) të përfaqësohet në institucionet shtetërore, duke shfaqur kështu civilizimin, bujarinë, ambicien për të ardhme më të ndritur dhe paqe në rajon.

Por siç na lihet të kuptojmë, me sytë e serbëve shqiptarët shihen më tolerues se sa ç’janë në të vërtetë! Ministri serb fyen shqiptarët, duke shfaqur mendimin personal e mbase edhe të asaj pakice që përfaqëson. E pastaj kërkon falje, që u bë rob i fjalës së vet. Nuk na takon të gjykojmë, por mundësia e pendimit të tij të sinqertë siç shfaqet në media, nuk ia kalon mundësisë së të ndjehurit krenar për atë që tha. Mirëpo ajo që na habit është heshtja e pushtetmbajtësve. Edhe sikur kosmopolitizmi të ketë zëvendësuar patriotizmin, nuk është e hijshme që qeveria të mos dënojë anëtarin e saj pa kulturë politike!

Ndërsa ajo që na tmerron është trajtimi mizor i protestuesve. Edhe sikur të gjithë të ishin opozitarë, siç pretendojnë pushtetmbajtësit, ata janë qytetarë, për të cilët protesta mbeti e vetmja mënyrë për t’u dëgjuar. E derisa në të kaluarën jo të largët, pavarësisht barrierave që patën në mes, shqiptarët qëndruan krah për krah e u mbështetën shpinë për shpinë me njëri-tjetrin, rreth kauzës së përbashkët; Dje, të ndarë në dy palë, ata qëndruan ballë për ballë. Eh kushedi sa bij të një nëne e sulmuan njëri-tjetrin! Kushedi sa miqësi fëmijërie sot u prishën me gjak! Kjo protestë na mësoka se të vëllazëruarit me armikun e dikurshëm, të armiqësoka me vëllanë e vërtetë!

Në fakt nuk mund të mbetet  i panjohur regjisori i gjithë këtij filmi, bashkë me mesazhin që bart, se Kosova nuk mund të vetëorganizohet dhe e pavarur nuk është asgjë veçse një anarki. Kjo pa dyshim do të shfrytëzohet nga keqdashësi i Kosovës në politikën e jashtme. Ndryshe si mund të spjegohen skenat e turpshme që pa e gjithë bota?

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close