AAK porosit Qeverinë: Problemet e qytetarëve nuk zgjidhen me dhunë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësoi se protestat janë një mjet demokratik për të shprehur pakënaqësi qytetare të cilësdo natyre, ndërkaq Kosova ka përvojë tepër të gjatë dhe të hidhur me situatat kur problemet provohen të zgjidhen me polici.

Sipas AAK-së, kërkesat tashmë të identifikuara dhe të drejtuara Qeverisë janë legjitime dhe të drejta.

“Aleanca beson se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit. Qeveria e Kosovës e bartë përgjegjësinë e plotë, si për veprim, ashtu edhe për mosveprim”, vlerëson kjo parti.

Aleanca do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e protestave gjithëpopullore deri në realizimin e kërkesave legjitime dhe të drejta.

“Në të njëjtën kohë, Aleanca distancohet dhe dënon dhunën reciproke e cila është ushtruar në rrugët e kryeqytetit dhe njëkohësisht fton Qeverinë që të reflektojë ndaj kërkesave dhe mos të tentojë të zhdukë problemet e qytetarëve dhe të vendit përmes përdorimit të aparatit policor. Kosova ka përvojë tepër të gjatë dhe të hidhur me situatat kur problemet provohen të zgjidhen me polici”, vlerëson kjo parti.

Lajme të ngjashme

Back to top button