Trendi autoritar i qeverisë Gruevski fundosë liritë politike në Maqedoni

Maqedonia mbetet në grupin e vendeve pjesërisht të lira, tregojnë të dhënat e fundit të “Fridom Haus”. Vendi shënon rënie në vlerësimet për liritë politike ndërsa në pjesën e të drejtave qytetare mbanë pozicionin e njëjtë si më parë. Rënia për 4 vende sa i përket të drejtave politike i atribuohet më së shumti lëshimeve serioze në zgjedhjet e muajit prill, ndërkohë që lidhet edhe me bojkotin e parlamentit nga opozita.

Ekspertët nuk janë të befasuar me të dhënat e fundit për liritë politike. Analisti politik Sasho Klekovski, thotë se Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit ndodhen para zgjedhjes së evropianizimit të mëtejshëm ose forcimin e trendeve autoritare.

“Bërja e politikës në Maqedoni sipas parimit të fituesit dhe humbësit detyrimisht krijon polarizim dhe mungesë të dialogut politik”, thotë Klekovski.

Nga komiteti i Helsinkit shprehen të brengosur për gjendjen e tillë me liritë politike në vend. Velanija Pirovska thotë se vlerësimi i dobët për lirit politike pasqyron realizimin e dobët të procesit zgjedhor dhe dhunën që qeveria praktikonte në ato momente ndaj administratës.

“Liritë politike nuk mund të karakterizohen si liri që praktikohen në Maqedoni, për shkak se qeveria gjatë kohës së zgjedhjeve shfrytëzoi të gjitha institucionet për marrjen e qeverisë”, thotë Pirovska.

Ajo thotë se deri sa nuk respektohen të drejtat e qytetarëve për të votuar atë parti që dëshirojnë dhe deri sa nuk respektohen parimet ligjore gjatë procesit zgjedhorë nuk mund të flasim për ndonjë përparim.

Lajme të ngjashme

Back to top button