Mustafa: Protesta e djeshme kishte kryekëput qëllime politike

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa pas protestës së djeshme ka mbledhur sot kabinetin e tij qeveritar në orën 10:00.

Ai gjatë mbledhjes së 11-të të qeverisë ka shprehur edhe një herë keqardhjen për të lënduar dhe ka ofruar përkrahje për policinë për garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Mustafa theksoi se protesta e djeshme kryekëput kishte qëllime politike.

“ Protesta kishte kryekëput qëllime politike. Policia e Kosovës e ka mbështetjen e plotë qeveritare për të mbrojtur pronën publike nga partitë politike. Shkaktari kryesor i eskalimit të protestës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë për heqjen e kordonit policor”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa më pas ka theksuar se në protestën e djeshme u pa që organizatorët kishin vetëm qëllime politike.

“Qytetarët u thirren për të protestuar për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri i cili kërkoi falje dhe të cilin nuk e pranuam. Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë, ajo është mbrojtur me ligj që pamundëson privatizimin e saj”, është shprehur Mustafa në mbledhjen e qeverisë.

Mustafa nuk e ka përmendur se a do të ketë shkarkim apo jo të ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button