Poshtërimi i lartësuar

Pakënaqësia ndër shqiptarët gjithandej po ngre krye. Jo për shkak të uljes së vlerës së euros kundrejt dollarit dhe frangut, as për shkak të pushtimit të Ukrainës prej Rusisë, aq më pak për shkak të vuajtjes së popujve të Lindjes së Mesme. Në Maqedoni shqiptarët assesi të bëhen faktorë, përkundër se duhet dhe mund të jenë, kurse në Kosovë serbët janë faktorë, jo vetëm në veprime, por edh në vendimmarrje, përkundër se nuk mund dhe nuk duhet të jenë, por ja që janë. Për ta shkarkuar një ministër serb të Kosovës, por që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, më e udhës do të ishte që këtë shkarkim ta kërkosh prej kryeministrit të Serbisë se sa prej atij të Kosovës, sepse ky i yni atë nuk e solli, por e gjeti mes nesh, mu ashtu sikurse kryeministrin tonë që populli nuk e solli, por e gjeti mes tyre. Kjo i bie se protestat kundër Jabllanoviçit duhet bërë në Beograd dhe jo në Prishtinë! Në Maqedoni filluan protestat kundër montimeve dhe burgosjeve të pafajshme dhe kundër peshores etnike që gjendet nëpër gjykatat e vendit, peshore kjo që lartëson krimin e pabërë, prej së cilës po vuajnë shqiptarët, tek-tuk ndonjë tjetër që nuk pajtohet haptas me të bëmat e pushtetit.
Filluan protestat kundër rastit famëkeq “Monstra” duke thënë se nuk do të ndalen, por pas një muaji i ndalën duke mos dhënë fare shpjegim. Madje, tani vështirë është ta drejtosh gishtin, ngaqë nuk dihej saktësisht se kush ishte prijësi i atyre protestave, edhe pse saktësisht dihej arsyeja. Fundja më mirë të mos ia kishin filluar, se sa t’i ndalnin ashtu në mënyrë heshtake. Nuk është turp të frikohesh, përkundrazi, marre është të frikohesh, por të hiqesh si trim! Në Luginë të Preshevës kemi përparim vetëm në shtim të partive politike, ku paralelisht me këtë shtim po shtohen edhe pakënaqësitë e shqiptarëve të asaj ane. Gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është zi e më zi. Një popull aq i ri dhe aq vogël nënshtroi një popull aq të lashtë dhe aq të madh krahas popullit malazez. Ndërsa për Çamërinë na mbeti të krenohemi se cili kryetar a kryeministër i Greqisë paskësh prejardhje çame.

Gjithandej dëgjojmë se popullit shqiptar i mungon një Ivo Andriq dhe një Dobrica Qosiq. Të atillë që krijojnë doktrina të paluhatshme për popullin dhe shtetin e tyre dhe jo të atillë që duket se i mjafton krekosja me të kaluarën gjoja të bujshme. Nuk është se ne nuk kemi intelektual të mëdhenj dhe me përvojë për sa i përket bërjes së një doktrine orientuese për këtë popull të çorientuar. Deshëm apo nuk deshëm, del se nuk kemi të tillë. E kishim Koço Danën, por atij lëre se i kalojë afati i bërjes së Shqipërisë Natyrale dhe nuk nxori fare zë për këtë dështim, por ai duket se së fundi u pasionua tepër pas gazetave serbe, ku me krenari publikon botimet e tyre rreth pikëpamjeve të tij. Me gjasë, do ta mësojë mirë edhe serbishten!
Lëre se e kishim, por edhe e kemi Rexhep Qosjen dhe Adem Demaçin. Ata ishin patriotë të vërtetë, por ende pa vdekur kërkuan të mbesin në histori. Ende të shëndoshë dolën në pension, – kështu disi i thonë kësaj pune. Sikur të kishin vdekur para 15 vjetësh, sa herë t’i lexoja veprat e tyre me gjasë edhe do të qaja e mornicat do të më ngriheshin përpjetë. Rrjedhimisht, nuk ndodhi kështu. Ata u rreshtuan me pushtetin andej dhe këndej kufirit, kur dihet mirëfilli se ky rreshtim ka mundësi të të bën edhe të sëmurë për sa i përket dallimit të ngjyrave. Të zezën nuk e sheh, kurse të bardhën lëre se e sheh, por duhet të bëhesh edhe tellall i kësaj ngjyre.

Mbase e kemi edhe njeriun e letrave, Ismail Kadarenë. E kemi, por edhe nuk e kemi. Babëzia e tij ndaj çmimeve e bëri të huaj atë për shëndetin e mirë të shqiptarëve. Ai qe i detyruar që në komunizëm ta shajë turkun, në demokraci komunizmin dhe kur qe fjala për çmime ndërkombëtare, atëherë haptas i shpalli luftë të panevojshme myslimanëve. Iku edhe ky për në greminën e rrezikshme, brenda së cilës trishtueshëm gurgullon vullkani. Mbetëm që shpëtimin ta presim prej atyre të cilët nuk janë personalitete. Po kush janë këta? Këta janë njerëzit e drejtë, të cilët mediet nuk i bën të famshëm, por të cilët aq sa kanë fuqi do të mundohen për këtë vend, edhe pse mund të mos e mbërrijnë kurrë mirëqenien për të cilën përpiqen. Këta janë të gjitha ata që janë njerëz me njerëzi, që kanë besim në Zot, nuk llomotisin për t’u dukur sa më kombëtar, por çiltërsisht dhe profesionalisht punojnë për të mirën e vendit të tyre dhe për të mirën e njerëzimit në përgjithësi.
Po kush janë këta më konkretisht? Këta janë njerëzit e drejtë me shpirt të pa korruptuar. Të gjithë që janë të këtillë, janë këta për të cilët po bëj fjalë. Ti lexues mund të jesh njëri prej tyre, kuptohet nëse përnjëmend nuk je hajdut, injorant dhe i pandershëm. Këta nuk kanë emra, por kanë zëra dhe zemra të shëndosha. Përndryshe personalitetet tona vdiqën ende pa vdekur. Ata i varrosëm ende pa ia hapur varret. Sa shumë që më dhimbsen, por kurrë nuk do ta humbi shpresën, ani pse hera herës mund të dëshpërohem sa të them se nuk mbeti më shpresë për popullin tim. Shpresën do ta mbaj në jetë duke e kërkuar ndryshimin në gjërat që përkojnë me mundësinë e ndryshimit. Përndryshe nuk kemi ndryshim me të njëjtët njerëz, të cilëve tashme e sa vite i ka dalë ngjyra. Me të drejtë Ajnshtajni thotë: “Çmenduri është përsëritja e veprimit të njëjtë dhe pritja e rezultateve të ndryshme”!

Lajme të ngjashme

Back to top button