“Të nxjerrim mësime nga Ebola, bota e papërgatitur për rreziqe të tilla”

Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, ka paralajmëruar se bota është e papërgatitur për pandemi të ngjashme me Ebolan në Afrikën Perëndimore.

Duke folur nga Uashingtoni, ai tha se ishte me rëndësi që qeveritë, korporatat, agjencitë e ndihmave dhe kompanitë e sigurimeve kanë punuar së bashku për të luftuar Ebolan në Afrikë dhe tashmë mund të thuhet se ato kanë fituar përvojë në rast të shpërthimit të një pandemie. Ai shtoi se është e nevojshme që të nxirren mësime nga kriza në vendet afrikane.

Më shumë se 8500 njerëz kanë vdekur në Sierra Leone, Guinea dhe Liberi, nga shpërthimi i virusit vdekjeprurës.

“Shpërthimi Ebola ka qenë shkatërruese, për jetët e humbura dhe shpenzimet e mëdha ekonomike. Ne duhet të sigurohemi që t’i çojmë në zero rastet e të prekurve. Në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë për t’u përgatitur për pandemi, të cilat mund të jenë shumë herë më vdekjeprurëse se ajo që kemi parë deri tani nga Ebola. Ne duhet të nxjerrim mësime nga shpërthimi i këtij virusi sepse nuk ka asnjë dyshim që në vitet e ardhshme do të përballemi me pandemi të tjera në vitet e ardhshme ”, ka thënë Kim në Universitetin “Georgetown”.

Kim tha se Grupi i Bankës Botërore kishte punuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencitë e OKB-së, akademikë, zyrtarë të tjerë të shoqërisë së sigurimit për zhvillimin e një “strukture pandemie” financiare. Ai tha se, tashmë pritet ky projekt t’i paraqitet liderëve të vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, gjatë muajve të ardhshëm.

Presidenti i Bankës Botërore shtoi se bisedime jozyrtare për këtë temë janë mbajtur edhe në Forumin Ekonomik Botëror të javës së kaluar në Davos, Zvicër./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button