Mbrëmje letrare për datëlindjen e Ismail Kadaresë

Ismail Kadare sot ka datëlindjen. Ai ka lindur më 28 janar të vitit 1936 dhe për datëlindjen e tij të 79, Biblioteka Kombëtare dhe Shëtpia Botuese “Pegi|, në Tiranë do të organizojnë një mbrëmje të vecantë letrare.

Biblioteka kombëtare dhe Shtëpia botuese Pegi kremtojnë ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare përmes një mbrëmjeje të veçantë në praninë e studiuesve dhe lexuesve të tij. Përvojat personale dhe profesionale të studiuesve të afirmuar të shkrimtarit por edhe studiuesve të rinj do të sillen për publikun përmes një bashkëbisedimi të hapur ku ligjërimi letrar dhe ai për letërsinë do të shkrihen në një homazh dhe urim për ditëlindjen e shkrimtarit.

Një ekspozitë specifike, konceptuar nga sektori i bibliografisë, kushtuar fillimeve dhe disa botimeve të rralla të Ismail Kadaresë do të hapë mbrëmjen përmes kurioziteteve bibliofilike. Si një institucion i librit dhe kulturës, BKSH mirëpret prezantimin e Bibliografisë më të fundit kushtuar veprës së autorit nga studiuesja e re Jorina Kryeziu, bibliografi e botuar nga Botimet Pegi dhe e mbështetur në pasurimin e saj nga sektorë të ndryshëm të BKSH-së. Dr. Lili Sula do të trajtojë më konkretisht sfidën bibliografike të këtij botimi.

Ndërsa rreth përvojave të ndryshme bibliografike të punës studimore janë ftuar të dëshmojnë edhe pedagogët e Departamentit të letërsisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (UT) si Profesor Bashkim Kuçuku dhe Dr. Viola Isufaj, që të dy autorë të disa studimeve të rëndësishme mbi Kadarenë. Profesor Kuçuku do të trajtojë aspekte të punës bibliografike në lidhje me botimet në gjuhë të huaj të Kadaresë, marrëdhënien e ngushtë që krijohet mes studiuesit, kritikut, historianit të letërsisë dhe botimeve të autorit e studimeve ndaj tij, kryesisht në gjuhë të huaj. Viola Isufaj do të sjellë përvojën e saj mbi trajtimin e mitit nga Kadare por edhe aspekte të perceptimit të tij në leximet e studiuesve të tjerë përmes një shqyrtimi bibliografik. Mbrëmja letrare do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në ora 18:00.

Lajme të ngjashme

Back to top button