Përcaktohen pikat kritike dhe masat parandaluese për mbrojtje nga vërshimet

­ Trupi koordinues për ballafaqim me kriza në seancën e djeshme i ka përcaktuar pikat kritike në vend të cilat do të mund të rrezikoheshin pas paralajmërimeve se të premten pasdite dhe të shtunën priten reshje të reja të shiut.

Më të rrezikuara janë pjesët e rajonit juglindor dhe ato rrjedhat e lumenjve Vardar, Cërna Reka, Bregallnicë dhe Pçinja. Janë përcaktuar edhe masa të cilat duhet t’i ndërmarrin njësitet e vetëqeverisjes lokale. Nëse kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje duhet t’i drejtohen Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.

“Kryetarët e komunave duhet t’i vënë në dispozicion të gjitha resurset në dispozicion, t’i aktivizojnë shtabet e krizave dhe urgjentisht gjatë ditës së nesërme të konvokojnë takime koordinuese të DMSH­së. Kryetarët e komunave më pas t’i njoftojnë të gjitha bashkësitë lokale dhe vendbanimet për pikat kritike dhe masat e propozuara që do të miratohen nesër. Të gjitha masat e propozuara të dorëzohen deri te DMSH”, tha pas përfundimit të takimit të trupit koordinues ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski. Shtoi se nëse kryetarët e komunave vlerësojnë se u nevojitet ndihmë shtesë nga burimet teknike të dorëzojnë kërkesë deri te DMSH­ja.

Nga QBK kërkohet në vazhdimësi ta ndjek nivelin e lumenjve dhe në kohë t’i njoftojë komunat, ndërsa njësitet e vetëqeverisjes lokale dhe Rrugëve të Maqedonisë në mënyrë intervente të reagojnë për urat ku ka rrezik nga ngecja e ardhjeve të mëdha të ujit, drunjve.

Të gjithë qytetarët të cilët vlerësojnë se janë të rrezikuar duhet të paraqiten në numrin 195 në Qendrën për ballafaqim me kriza. Janakieski sqaroi se Rrugët e Maqedonisë dhe EVN­ja janë duke vendosur kujdestari që të mund të intervenojnë menjëherë nëse krijohet problem apo dëmtim në një aks rrugor apo të një rrjeti elektrik. Krahas paralajmërimeve për reshje të reja, problem shtesë janë paralajmërimet për erë të fuqishme jugore që mund të shkaktojnë shkrirjen e borës, gjë që do t’i rriste sasitë e ujit në rrjedhat e lumenjve. Të gjitha masat e propozuara, tha ai, duhet të mundësojnë parandalim që një numër sa më i vogël i shtëpive, objekteve dhe tokës të vërshohet. Paralajmëroi se trupi koordinues do të kryesojë edhe gjatë ditëve të ardhshme me qëllim që të koordinohen të gjitha aktivitetet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren. shk/mp

Lajme të ngjashme

Back to top button