fbpx

TË KESH NJË ËNDËRR

Qe kohë e pashpresë, por ne kishim një ëndërr për një të ardhme më të bukur. Dhe ishim ngulmues. Mblidheshim çdo javë periferive të qytetit dhe bisedonim për tema të ndryshme. Nuk ishim grupim politik, as kishim ambicie politike. Krahas krijuesve të rinj, pjesë e këtij grupimi ishin edhe poetët që sot nuk janë në mesin tonë, sikurse: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ramadan Sinani, Murtezan Arifi, Daut Gurra, Nexhbedin Voka etj., emra që sikur i kemi harruar.

Shumëfishonim poezitë dhe i shpërndanim ndërmjet anëtarëve. Dikujt s’i pëlqente një titull, tjetrit një varg a një strofë, një tjetri nuk i pëlqenin poezitë e ndonjë krijuesi.

Nuk ishim të ngjashëm. Kishim ndjeshmëri dhe botëshikime të ndryshme për artin e për jetën. Kishim dhe mosdurime. Pastaj, për shkak dallimesh konceptuale, u ndamë në dy grupime: njëri veproi nën singlën e “Klubit Letrar ’94” të Tetovës dhe e botonte revistën “Vlera”, kurse tjetri, ku bëja pjesë dhe unë, botonte revistën “Brezi 9”.

Kishim synimet e botëshikimet tona për artin, për jetën, për letërsinë, për zhvillimet shoqërore dhe politike. Ishin shumësi synimesh e botëshikimesh. Një pasuri për botën shqiptare në Maqedoni.

Ne nisëm të reflektonim në shoqëri. U botuan libra, revista, u organizuan manifestime kulturore, me pjesëmarrje emrash të njohur të hapësirës shqiptare.

Pas disa vitesh pune të palodhshme e të paçmuar, fuqia nisi të shterrej. Shkaqet qenë të shumta, për të cilat do të mund të flisnim shumë gjatë.

Qëllimi i këtij shkrimi është që të kujtojmë se si dikur, në kushte të vështira, kishim qerthuj letrar, që sot nuk i kemi; bëheshin shfaqje që publiku i priste me dashuri të çuditshme e që kanë mbetur në kujtesën e të gjithë atyre që i kanë parë.

Nuk pritëm ndihmë nga askush. E dinim se do të pengoheshim. Provuam dhe bëmë punë të vlefshme edhe kur survejoheshim, thuajse bënim punë të rrezikshme. Po neve nuk na bëhej vonë. Nuk kishim frikë, sepse kishim ëndrrën tonë dhe punonim për atë ëndërr.

Nuk kishim financa, por ngulmonim, me bindjen se ja vlente të provonim edhe pse rrjedha e projektit nuk varej vetëm nga kjo ndjenjë.

Ishim ngapak donkishotë. Të jesh i tillë do të thotë të jesh ngulmues, idealist, ndonëse mjetet që ke zgjedhur mund të jenë të gabuara për kohën kur jeton.

Nuk bëmë mrekullira, por as nuk e çuam kohën kot. Bëmë sa mundëm. Afirmuam vetveten dhe dhamë kontribut për rrjedhat kulturore e shoqërore.

Sot, anëtarët e të dy grupimeve, e kujtojmë me mall atë kohë…

Shumë vite më pas ekziston njëfarë shkretëtire kulturore. Krijuesit botojnë më pak, nuk debatojnë dhe gjithnjë më pak e lexojnë edhe njëri tjetrin. Nuk e dimë kush e çfarë boton. Nuk “zihemi” për tema të ndryshme letrare. Mungon ndjenja e iniciativës edhe te të rinjtë.

Artistët e rinj nuk kanë grupime, nuk kanë vende ku mblidhen për të ndarë përvojat e tyre, për të këmbyer ide e vizione. Gjithnjë e më pak provojnë. Janë pasivizuar tejmase dhe presin t’i thirrin e t’u thonë se janë të talentuar dhe meritojnë vëmendje.

Miq të dashur, mos prisni ftesa se nuk kanë për t’u ardhur asnjëherë nëse nuk imponoheni nëpërmjet dijes, ngulmimit dhe ndjenjës për të bërë diçka për vete dhe për botën ku jetoni.

Shoqërisë tonë i duhen grupimet e këtilla, që reflektojnë në po atë shoqëri. I nevojitet ambienti dhe atmosfera kulturore që sipas Nolit ndikojnë në cilësinë artistike. Ndikojnë fuqishëm që bota të mos ngulfatet nga e rëndomta, por të ndryshojë nëpërmjet kreativitetit.

Grupimet e këtilla janë pasuri në kohën kur asgjë nuk frymon; kur janë prishur balancet ndërmjet faktorit shpirtëror e material. Jeta shoqërore pa këtë balancë nuk është e plotë.

Bota ku jetojmë do të ngulfatet nga uniformiteti nëse nuk do të dëgjohen zërat e krijuesve, ndjeshmërish e botëshikimesh të ndryshme.

Puna krijuese është akt individual, por duket se nuk mjafton të mbyllesh në Kullën e Fildishtë e të presësh kohë më të mirë. Ajo nuk kanë për të ardhur nëse nuk punojmë për të, nëse nuk e ndjellim, nëse nuk ngulmojmë, nëse nuk jemi ngapak donkishotë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close