A mund të dënohen mësimdhënësit grevistë?

Presionet ndaj mësimdhënësve që janë duke e bojkotuar mësimin nuk kanë të ndalur. Madje disa kanë filluar të komentojnë edhe lidhur me dënimet që do ballafaqohen ata të cilët mbajnë grevën.

Edhe pse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), thonë se nuk do të ketë sanksione për mësimdhënësit që bojkotojnë në pajtim me të drejtën e tyre për grevë, Portalb mëson se në disa shkolla drejtorët janë ata që kanë kërcënuar mësimdhënësit që nëse i bashkangjiteni grevës së SASHK-ut, nuk do të paguhen për aq sa bojkotojnë mësimin si dhe  që po rrezikojnë vendin e punës.

“Nuk do të ketë dënime për mësimdhënësit që bojkotojnë mësimin, të gjitha ato që thuhen janë thjesht thashetheme dhe aty nuk ka asgjë të vërtetë”, tha për Portalb, Goran Galveski, zëdhënës i MASH-it.

Drejtorët duhet të solidarizohen dhe jo të kërcënojnë kolegët

Sa i përket kërcënimeve nga ana e drejtorëve, ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu thotë se ata nuk kanë të drejtë për një gjë të tillë dhe se përkundrazi ata duhet të solidarizohen me kolegët e tyre.

“Drejtorët duhet të solidarizohen dhe të kenë mirëkuptim dhe jo të kërcënojnë kolegët e tyre. Nëse ata ushtrojnë presion ndaj vullnetit të lirë të mësimdhënësve atëherë na lënë të kuptojmë që arsimi është politizuar”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë dhe të shqyrtohen kërkesat e të dy palëve. Nga ana tjetër mësimdhënësit mbajnë grevën por frikësohen se MASH do të hakmerret ndaj vendimeve të tyre.

“Ne jemi duke e bojkotuar mësimin por kemi shumë presione dhe normal frikë. Ndoshta nuk do të ketë dënime të drejtpërdrejta mirëpo mund të shtojnë kontrollet deri në atë moment sa të gjejnë çfarë do mangësie dhe për atë të dënojnë mësimdhënësit ashtu edhe siç ndodhi me testimin ekstern, ku u dënuan shumë mësimdhënës të aftë dhe punëtor”, thonë disa mësimdhënës.

Kurse përfaqësuesi i këshillit të arsimtarëve shqiptarë në shkollën fillore “Panajot Ginovski”, Selajdin Hamidi bën të ditur se në këtë shkollë nuk mbahet greva pasi që më shumë se gjysma e mësimdhënësve janë përkrahës të VMRO-së.

“Ne, mësimdhënësit shqiptarë përkrahim grevën dhe kërkojmë po ato kushte edhe neve, por fatkeqësisht nuk na lejohet të bojkotojmë mësimin pasi që jemi më pakë se gjysma e kolektivit. Maqedonasit të gjithë janë përkrahës të VMRO-së dhe nuk lejojnë bojkotimin e mësimit në këtë shkollë”, tha për Portalb, Hamidi.

Cvetan Dimov”, drejtori gënjen për mbarëvajtjen e procesit mësimor

Kohë më parë  drejtori i shkollës së mesme “Cvetan Dimov” në Shkup, Shaip Zeneli deklaroi se  nuk  ka mungesë grupore të nxënësve, si pasojë e ndonjë paralajmërimi të grevës apo diçka tjetër.

“Nuk kemi pasur ndonjë paralajmërim për mospjesëmarrje ose mosardhje të nxënësve në testim. Deri tani gjithçka është në rregull. Nuk ka mungesë grupore të nxënësve, si pasojë e ndonjë paralajmërimi të grevës apo diçka tjetër”, u shpreh për Alsat-M,  Zeneli.

Ndërkaq nxënësit dhe mësimdhënësit përgënjeshtrojnë këtë deklaratë duke thënë se ka mungesë të madhe të nxënësve dhe se çdo ditë mbahen nga 2-3 orë.

“Në shkollën tonë mësimi nuk zhvillohet normalisht, ka shumë parregullësi e po ashtu edhe mungesë të madhe të nxënësve. Në klasën time mungon më shumë se gjysa e nxënësve. Profesorët vijnë në klasë dhe thonë qe nuk ka grevë por mësim zhvillohet veç 2 ose 3 orë mësimore”, thotë S.A, nxënës.

“Dukshëm vërehet se në shkollën tonë ka mungesl të madhe nxënësve. Nuk jemi në dijeni se kur do të merr fund kjo që ndodh. Është për të ardhur keq se si malltretohen nxënësit”, tha Z.M, nxënës.

“Është e pamundur të kuptohen profesorët tanë, thonë që nuk ka grevë dhe na bëjnë thirje të vijmë në shkollë e e ato nuk vijnë në orë. Që kur ka filluar viti shkollor mësimin nuk po zhvillohet ashtu siç duhet”, thotë F.S, nxënës i vitit të katërt.

 Sërish parregullsi në testimin ekstern

 Zhvillimi i testimit ekstern për nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të shkollave të mesme hasi në probleme dhe parregullsi në disa komuna.

Edhe pse mësimdhënësit janë në grevë, nga MASH apelojnë që të mos pengojnë mbarëvajtjen e testimit ekstern.

“Mësimdhënësit që mbajnë grevën nuk kanë të bëjnë fare me testimin esktern. Ai po zhvillohet nga testatorët e MASH-it, Byrosë së arsimit si dhe Qendrës për testim. Vetëm se apelojmë që grevistët të mos pengojnë mbajtjen e testimi sepse të prekur do ngelin nxënësit pasi që nëse nuk i nënshtrohen atij, nuk do të marrin dëftesë”, tha Galevski nga MASH.

Ndërkaq mësimdhënësit janë kategorik kundër testimit duke thënë se shumë mësimdhënës u dënuan pa faj dhe kjo ngjalli revolt dhe pakënaqësi të madhe tek të punësuarit në arsim.

“Historia po përsëritet, kam informata se testuesit sërish ashtu si edhe herave tjera u kanë treguar atyre nxënësve që i janë nënshtruar testimit ekstern. Kjo gjë nuk është në rregull fare, pikërisht për këtë jemi ne në grevë pasi nxënësi analfabet që nuk di asgjë merr notën 5 në test dhe atëherë përsëri do të dënohet profesori se gjoja nuk di të notojë nxënësit”, tha për Portalb, Ruzhdi Ibrahimi, përfaqësues i SASHK-ut në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button