Je suis humain!

Po, mirë e kuptuat… edhe unë jam njeri dhe si i tillë kam të drejta personale, individuale, por dhe kolektive e universale, ashtu siç kam përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ndaj vetvetes, familjes por edhe shoqërisë në përgjithësi.

Në shekullin e teknologjisë së informacionit, në shekullin e heqjes së barrierave fizike ndërmjet shteteve me qëllim të qarkullimit gjithnjë e më të lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe pronësisë intelektuale, në shekullin e arritjeve kulminante në çdo sferë, NE po ngulfatemi në një kaos total ku nuk merret vesh se kush ha e kush e pi…

Në Maqedoninë e shekullit 21 populli (i shkretë) helmohet (me materie enigmatike që s’dihet se nga e kanë origjinën) dhe për këtë nuk guxojmë të reagojmë, të protestojmë a të rebelohemi sepse qenka “interes shtetëror” dhe për hir të tij duhet të heshtim…

Në Maqedoninë e shekullit 21 mësimdhënësit (e gjorë) nuk guxojnë të hyjnë në grevë (e drejtë e garantuar me ligj) për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime sepse qenka kundër “interesit shtetëror” dhe prandaj duhet të heshtin… duhet të durojnë ndonjë farë alamet drejtori i cili u afrohet si qyqar dhe u pëshpërit diç në vesh… se gjoja kjo bëheshka kundër këtij ose atij…

Në Maqedoninë e shekullit 21 nxënësit (e ngratë) duhet t’u nënshtrohen “reformave” ndërkohë që harrohet se nuk kanë kulm mbi kokë, se jetojnë, punojnë e mësojnë në kushte mizore, shpesh në ndërtesa të improvizuara ose edhe nëpër xhami, sepse të reja nuk kanë. Edhe ato pak që kanë ngelur janë të kohës së sistemit socialist-komunist pas të cilit gjithsecili hedh gur e dru… Atëherë, çfarë të mirash na solli sistemi i pas vitit 1991?!

Në Maqedoninë e shekullit 21 populli (i mjerë) duhet të trajtohet në institucione shëndetësore të cilësisë më të dobët (siç edhe e dëshmoi raporti i fundit i Numbeo-s për shërbimet shëndetësore në Evropë dhe më gjerë) përfshirë këtu edhe ndërtesat e kohës së “Shokut Tito” me korridore të ngushta e të errëta veç më para kolapsit total. Dhashtë Zoti e t’i kemi të paktën këto sepse po na goditi ndonjë fatkeqësi më e madhe natyrore, do mbetemi mozomakeq!

Në Maqedoninë e shekullit 21 nuk ka ujë për pije, nuk ka rrugë të mirëmbajtura për qarkullim të automjeteve (përveç Shkupit 2014), nuk ka as trotuare për pleqtë, për nxënësit, për nënat me foshnje, nuk ka as parkingje veturash, nuk ka as parqe, as shëtitore, as… AJËR! Por ama ka plot qen (të llojeve të ndryshme bile), ka edhe plehra me bollëk, ka vetura pa fund, ka male pa dru, ka gropa, ka tym, ka… Ka edhe shpirtligësi, korrupsion pa fund, imoralitet, hajni, hile, matrapazllëk, servilizëm, nënshtrim, represion, trysni, kërcënime, hipokrizi… Ah, desh harrova, ka edhe INJORANCË!

Dhe pas gjithë kësaj, ne duhet të rrimë të heshtur, të bëhemi të dëgjueshëm, të urtë, të butë, të pajtohemi me FATKEQËSITË që na kanë gllabëruar nga të gjitha anët, sepse edhe kjo na qenka në dobinë tonë, vetëm se ne nuk e ditkemi dhe nuk e paskemi kuptuar akoma!!!

Dhe…kësaj here, nuk do t’i lutem as Zotit që të na ndihmojë, sepse, po sipas tij, Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.

(Sureja RA’D, Ajeti nr. 11)

Lajme të ngjashme

Back to top button