fbpx

Bilanci i protestës së dhunshme në Prishtinë, mbi 70 të lënduar dhe 170 të shoqëruar

Protesta, e cila përfundoi në dhunë dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, la të lënduar mbi 70 persona.

Deri në orën 17, në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare janë dërguar 44 policë të plagosur dhe 29 protestues që kanë marrë lëndime.

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, tha se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen nga repartet e klinikave, në varësi të nevojave që kanë.

Edhe drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Curr Gjocaj, tha se është formuar një Shtab Emergjence dhe ka mjekime të mjaftueshme për të trajtuar të gjithë pacientët, ndërkohë që ka bërë të ditur se rreth 10 autoambulanca ndodhen në qytet.

Policët dhe protestuesit kanë pësuar lëndime gjatë përleshjeve mes tyre, gjatë protestës në sheshet e Prishtinës.

Edhe protesta e së martës la pas një shkatërrim të madh, të cilin Prishtina nuk e përjetonte që pas luftës; shumë gurë dhe sende tjera, të cilat protestuesit i përdorën për të gjuajtur Policinë e Kosovës. Po ashtu, prona private edhe kësaj here u dëmtua nga protestuesit.

Ndërkohë që edhe arrestimet nuk kanë munguar. Në një konferencë gjatë pasdites, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, bëri ditur se 170 vetë janë shoqëruar, 31 prej të cilëve të ndaluar. 7 personave u është caktuar masa prej një muaji paraburgim.

Në konferencën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe kryeprokurorit të shtetit është bërë e ditur se, gjatë protestës është konfirmuar edhe përdorimi i plumbave të gomës gjatë zbrapsjes së protestuesve, ndërkohë që për Policinë, bilanci i policëve që janë lënduar është 56. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close