Kusari: Maqedonisë i përgjigjemi me reciprocitet në mallra

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari ka paralajmëruar zgjerimin e listës së mallrave të Maqedonisë që do të ndalohen të hyjnë në Kosovë.
Por, ajo ka thënë se nuk do të ketë masa reciproke me shtetin maqedonas sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve si që vendosi Maqedonia.

“Masat tona reciproke janë vendosur për mallra tregtare dhe për kompani. Ne nuk mund të biem në atë nivel, por ne do t’i tregojmë shtetit maqedon se ata nëse vazhdojnë t’i trajtojnë në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës, atëherë humbjet do t’i ndjejnë drejtpërdrejtë në ekonominë dhe buxhetin e tyre”, ka thënë Kusari, për Gazetën Express.

“Masa reciprociteti për lëvizjen e lirë të njerëzve nuk do të ketë për shkak se ne e kuptojmë se do të godasim shqiptarët e Maqedonisë dhe të tjerët që vijnë në Kosovë, natyrisht edhe maqedonët”, ka shtuar ajo.

“Në fazat e ardhshme në prapë insistojmë që kjo të jetë çështje e raportit tregtar. Qeveria e Kosovës është në konsultimet e veta se cili do të jetë veprimi i radhës. Natyrisht, në forma të tilla ata nuk mund t’i bëjnë ultimatume Qeverisë së Kosovës. Në të kundërtën ne mund të shkojmë me zgjerimin e listës së mallrave të ndaluara që vijnë prej Maqedonisë në Kosovë”, ka thënë Ministrja Kusari.

Madje, Zëvendëskryeministrja e ka quajtur vendimin e Maqedonisë absurd dhe në dëm të raporteve të fqinjësisë së mirë me Kosovën.

“Kjo taksë është në kundërshtim me çdo normë europiane dhe të fqinjësisë së mirë. Qytetarët e Kosovës për momentin duhet të shkojnë vetëm për taste emergjente në Maqedoni, ndërsa për arsye tjetra të evitojnë këtë qarkullim për momentin. Kjo formë e fqinjësisë së mirë është absurde”, ka shtuar ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button