VIDEO nga ekstradimi i Almir Dërplanit

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dje pasdite ka arrestuar Almir Dërplanin, shtetas i Maqedonisë, i cili nga ana e Gjykatës Penale të Shkupit është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e policit Afrim Arifi para Fakultetit të shkencave natyrore në Shkup.

Lajmi për arrestimin e Dërplaninit është konfirmuar nga ana e policisë kosovare, e cila ka informuar se gjatë arrestimit atij, i janë gjetur dy automatikë, një snajper, pistoleta, granata dore, municion dhe stoli ari.

Menjëherë pas vrasjes, Dërplanin besohet të jetë arratisur në territorin e Kosovës, ku për më shumë se tre vjet e gjysmë, ka arritur t’u shmanget organeve të rendit, duke jetuar në liri.

Siç bëhet e ditur, policia kosovare duke vepruar sipas fletarrestim ndërkombëtar të ngritur nga ana e Gjykatës Themelore Shkupi I, kohëve të fundit ka zbuluar vendndodhjen e të dënuarit me burg të përjetshëm dhe gjatë një operacioni të realizuar rreth një javë më parë, ka bërë arrestimin e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, Dërplanin në prill të vitit 2010 u dënua me burg të përjetshëm nën akuzën e ekzekutimit të policit Afrim Arifi, në bashkëpunim me Qerim Rexhailin dhe Agim Islamin, njëri nga Kumanova, ndërsa tjetri banor i Shkupit. Ata të tre, siç thuhet në aktakuzë, të ndihmuar nga ana e Ramadan Shaqirit, kanë qëlluar me breshëri drejt automjetit policor në afërsi të Fakultetit të shkencave natyrore, brenda të cilit bashkë me Afrim Arifin, kanë qenë edhe dy kolegë të tij.

“Plumbat e qëlluar në breshëri drejt veturës policore të tipit ‘Mazda’ lanë të vdekur në vend policin shqiptar, ndërsa dy kolegë të tij u lënduan rëndë dhe mbetën invalidë”, thuhet në aktakuzë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të nëntorit të vitit 2008, ndërsa rreth një vit e gjysmë më vonë, u shqiptuan tre burgimet e përjetshme. Gjithashtu, kundër Almir Dërplaninit rëndojnë edhe akuzat për grabitjet e rënda në bankën Prokredit, në automjetin e Banks Komerciale, në afërsi të panairit të Shkupit dhe në atë të Postave të Maqedonisë, në lagjen e Çairit. Gjatë këtyre paçkitjeve, mbeti i vrarë një truprojë, gjashtë persona u lënduan, ndërsa u vodhën qindra mijë euro

Lajme të ngjashme

Back to top button