“Jeni” dhe “Çarshia” në dorë të endacakëve

Dëmtimet në xhaminë “Jeni” në Manastir vazhdojnë. Pas transformimeve që po ndodhin prej disa vitesh në ambientet e brendshme të saj, për të nxjerrë një sipërfaqe rrënojat e një kompleksi kishtar, muret e jashtme të një prej objekteve më të spikatura të trashëgimisë çdo ditë janë të ekspozuara nga flakët dhe tymi i zjarrit që ndezin grupe endacakësh për t’u ngrohur. Për shkak të mureve të trasha dhe të larta, zjarri nuk arrin të depërtojë në brendësi të objektit, ndonëse muret e pasme dhe janë nxirë nga flakët e vatrës që ndizet thuajse çdo pasdite. Projekti i rekonstruktimit për momentin është i pezulluar dhe pritet të nisë gjatë këtij viti, ndërkohë që nga Enti dhe Muzeu i qytetit thonë se këtë rast e kanë denoncuar në polici, shkruan Koha.

Ky institucion që është edhe zbatues i projektit të konservimit të objektit – këtë vit parashikon që punimet të vijojnë duke i adaptuar rrënojat së bashku me artefaktet e tjera në një galeri arti, dyshemeja e së cilës do të jetë e qelqtë. Projekti për restaurimin dhe konservimit e këtij objekti po zvarritet prej gati dhjetë vjetësh, jo vetëm sepse u nis në bazë të një supozimi se dikur mund të kishte ekzistuar një kompleks kishtar, manastir apo edhe kishëzë, por edhe për mungesë të të hollave. Në Ministrinë e Kulturës, sekretari shtetëror Behixhudin Shehapi thotë se objektet duhet të ruhen nga institucionet kompetente, që në këtë rast është Enti dhe Muzeu i qytetit, por pas situatës së krijuar – Ministria e Kulturës do të marrë masa që një gjë e tillë të mos përsëritet.

“Kemi nisur inspektorë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë që të konstatojnë dëmin në murin frontal të objektit dhe të bëhet më pas riparimi. Sipas informacioneve që kemi kjo situatë është krijuar nga një grup të rinjsh dhe fëmijë me kombësi rome që kanë ndezur zjarr për t’u ngrohur”, thotë Shehapi. Objektet arkitektonike të periudhës osmane zakonisht restaurohen edhe falë suportit të konsiderueshëm që jep organizata turke TIKA, e cila për Jenin që parashikohet të jetë një lloj “Aja Sofi” e Manastirit, kanë ngurruar të investojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button