fbpx

Ku ishte ministri kur u dënuan 8 mijë mësimdhënës?

Mësimdhënësit këmbëngulin të mbajnë grevën, madje ata thonë se testimi ekstern duhet me doemos të hiqet ashtu si edhe dënimet e arsimtarëve dhe profesorëve, pasi që  ai është jo adekuat për të vlerësuar punën e mësimdhënësve.

Kryetari i LASH-it të Kumanovës, Samet Jahiji thekson se problem kryesor me të cilin ballafaqohen mësimdhënësit janë dënimet e testimit ekstern, për këtë arsye edhe do të mbahet greva deri sat ë tërhiqet ky vendim.

“Në Kumanovë dhe Likovë 100 % është duke u bojkotuar mësimi dhe të gjithë mësimdhënësit janë në grevë. Ne jemi kategorikisht kundër testimit ekstern andaj kërkojmë që ky testim të tërhiqet sepse mori në qafë mësimdhënësit. Ky nuk është vlerësim adekuat”, tha për Portalb, Jahiji.

Sa i përket deklaratës së BDI-së se SASHK-u po bojkoton shkaku që ministri është shqiptarë, Jahji thotë se ku ishte ky ministër shqiptar kur u dënuan 8000 mësimdhënës shqiptarë.

“Desha të shtoj se pasi ky bojkot qenka për arsye se ministri i arsimit u zgjodh një shqiptarë, atëherë le të më tregoj mua BDI se ku ishte ky ministër kur nga 10 mijë të dënuarit e testimit ekstern ishin 8 mijë mësimdhënës shqipëtarë. Edhe duke pasur parasysh ankesat tona dhe problemet e shumta që i kishim me gabimet teknike dhe skandaloze në përkthim. Edhe mësimdhënësit të cilët pas testimit ekstern kanë dalë në pension, nga pensioni iu ndalet dënimi me vlerë prej tre mijë denarëve. Ne do të vazhdojmë grevën deri sa të arrihet marrëveshje. Nëse SASHK-u distancohet nga kërkesat, ne do të kërkojmë ndryshimin e kryesisë pasi që të drejtat dhe kërkesat duhet të përfaqësohen denjësisht dhe ky hov të mos ndalet deri në arritjen e qëllimit”, shtoi Jahiji

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i SASHK-ut në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, Ruzhdi Ibrahimi , theksoi se është turp që 24 profesor ëme përvojë pune dhe të dalluar, të dalin në pension të dënuar dhe për këtë arsye greva do të vazhdon.

“Ne po vazhdojmë grevën sepse është turp që mësimdhënësi me nga 40 vjet përvojë pune të dalin në pension me dënime, kurse gjatë punës së tyre kanë treguar suksese të pashtershme. Unë nuk e di se si u mbajt sot testimi ekstern, sepse ne i gjithë kolektivi jemi në grevë, në përjashtim të atyre që janë me kontratë pune dhe pa vendime. Gjithashtu presionet vazhdojnë por gjithashtu edhe bojkoti do të vazhdojë”, tha për Portalb, Ibrahimi.

Burime të Portalb mësojnë se në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, në Shkup, nxënësit janë ata që bojkotojnë mësimin.

“Në fillim disa profesorë filluan të mbajnë grevë por për shkak të presioneve të shumta, ku mesin e tyre ishin edhe fjalët se nuk do të merrnin rrogë për muajin janar, ata ndërprenë bojkotin mirëpo në këtë shkollë ka mungesë të madhe të nxënësve dhe për këtë arsye mësimi nuk zhvillohet normal”, thotë burimi i Portalb pranë kësaj shkolle.

Nga ana tjetër nga MASH theksojnë se të gjithë nxënësit do të testohen të gjithë edhe atë pa përjashtime, kurse SASHK-u njofton se greva vazhdon deri në plotësimin e kushteve të parashtruara. / Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close