fbpx

KOHA E VONUAR E VETËDIJËSIMIT

Ardhmëria e fëmijëve tonë pa diskriminim ekonomik e politik, pjesëmarrja e barabartë në vendimmarrje, fundi i fyerjeve që na bëhen në mënyra të ndryshme përmes politikave të partive politike, por edhe të institucioneve, dalja nga kriza e rëndë ekonomike, fundi i emigrimit të rinisë për shkaqe ekonomike e politike, programet arsimore që do ta mbrojnë dinjitetin tonë kombëtar dhe mbi të gjitha  uniteti kombëtar – janë çështjet që do të duhej të jenë në programet e partive tona politike, një unitet i cili nuk do ta ketë për qëllim t’i dëmtojë të tjerët, por do ta ketë qëllim t’i mbrojë interesat tona kombëtare. Këta interesa do të duhej të ishin thelbi i punës së intelektualëve shqiptarë kudo që janë, e në radhë të parë puna me prioritet në politikën e të gjitha partive shqiptare. Fatkeqësisht asgjë nga këto nuk u bënë, deri më tash,  premisa në këto vite të demokratizimit të hapësirës etnike shqiptare (me përjashtime të vogla) dhe nuk doli  kurrfarë konkluzioni i hairit nga këto premisa që do të ndihmonte synimin e mbarë që të jemi një popull evropian. Në hapësirën tonë mbretëroi një kaos për

Mjegulla që del nga globalizimi dhe pluhuri që na e qesin syve politikanët tonë për ta mbuluar  shterpësinë e tyre krijuese për realizimin e këtyre çështjeve kanë bërë që ne të harrojmë se ku gjendemi, ta harrojmë rrethimin dhe realitetin ku jetojmë, ta harrojmë mjerimin ekonomik. Ne i japim shumë hapët kosës në shumë drejtime. Rrahim gjoks se jemi një popull i lashtë, se jemi dhjetë milionë e hajt, se “feja jonë është shqiptaria”, se s’kemi lënë asnjë shtëpi të vjetër ndër fshatrat e qytetet tona, se kemi dy shtete në Ballkan dhe se “elhambudilah jemi myslimanë” dhe se shumë intelektualë në Evropë e përqafuakan islamin.

Në kohën e ballafaqimit të kulturave perëndimore e lindore dhe të fërkimeve e konflikteve politike midis religjioneve abrahamike ne si shqiptarë, kemi harruar se jemi gjetur në një situatë “midis gërshërve

Në këso situate e para e punës është të kthjellemi, të bëhemi esull e ta kemi të qartë gjeografinë tonë aktuale. Kurrsesi nuk bën ta heqim mendsh se populli ynë kufizohet me shtetet të cilat gjatë shekullit XIX e XX zvogëluan disa herë hartën tonë etnike. ”. Nuk duhet ta harrojmë 1912-tën e 1913. Edhe periodën midis dy luftërave, edhe  Luftën e dytë botërore, pas të cilave e pësuam aq sa kurrsesi nuk po e marrim veten. Na dërmuan shtetet ballkanike. Natyrisht, të ndihmuar fuqimisht nga Rusia dhe fuqitë e mëdha evropiane. Qe si qe, ne mbetëm në një hapësirë të vogël, mbetëm një oazë e rrethuar nga shtete të cilat gjithmonë, duke u thirrur në rrezikun kundër islamit, në qendër të politikave të  tyre e kanë pasur (fatkeqësisht ende e kanë) zhbërjen e popullit shqiptar.

Askush nga Evropa nuk ka dashur ta dëgjojë as zërin e rilindësve tanë që kryesisht kanë qenë të krishterë e të cilët kanë dhënë kontribut grandioz për themelimin e popullit shqiptar. As sot nuk e dëgjojnë nga Evropa zërin e shqiptarëve katolikë, të cilët u shkelën egërsisht nga dhuna serbe në Kosovë. Nuk e dëgjon kush as zërin e shqiptarëve të tjerë të cilët duan të jetojnë në atdheun e tyre si popull evropian. Si rezultat e këtyre zhvillimeve politike po bëhet një entitet problematik i komunave serbe në Kosovë të cilat do të kenë mundësi ta pengojnë çdo përpjekje të shqiptarëve për zhvillimin e vendit. Ai do të bëhet një problem shumë më i madh se sa mund ta marrim me mend ne. Dhe, do ta kemi vështirë.

Në një anë janë shumë media të shteteve fqinje në  shërbim të mujsharëve të ndryshëm që nuk kanë fjalë e nuk kanë as ndonjë mendim të mirë për ne, kanë ndikim të madh në formimin e mendimit publik në Evropë, po edhe në formimin e politikave të shteteve të tyre (por edhe të disa fuqive aktuale botërore). Madje tashmë ka filluar  të hetohet edhe një mbështetje e vendeve perëndimore për Serbinë në përpjekjet e saj të mëdha e të vazhdueshme për ta futur përsëri në kthetrat e saj Kosovën dhe për ta gjunjëzuar popullin shqiptar si “popull mysliman”. Pas heshtjes së Vatikanit, i cili nuk e përgënjeshtroi lajmin në të cilin thuhej se nuk do ta pranojnë Kosovën për shkak se Kosova qenka vatër e serbizmit, u pa se po japin shenjë se mund të kthehen ato shtrëngata politike e militante të shekujve të kaluar kur myslimanët, në radhë të parë shqiptarët, ishin të padëshiruar dhe ndiqeshin e dëboheshin në Turqi e gjetiu. Ngjarjet e fundit, të përgjakshme, në Francë e ngritën temperaturën antiislamike në Evropë, kurse kjo temperaturë e shtoi apetitin e Serbisë (e jo vetëm të Serbisë) që t’i realizojë ëndrrat e saj për brejtjen e mëtutjeshme të hapësirës etnike shqiptare. Trepça është një hap përmes të cilit Serbia e nis serinë më të re të provokimeve kundër shqiptarëve.

Për fat të keq, ne vet i ndihmojmë kësaj situate. Duke mos e pasur ndërmend rrezikun e rrethimit, pra rrezikun që na vjen nga vendet fqinje që “do të angazhohen kundër islamit” ne  sillemi me indiferencë ndaj ndasive të imta fetare brenda islamit te shqiptarët dhe ndaj mosmarrëveshjeve midis islamit të shqiptarëve dhe të krishterimit të shqiptarëve. Për çdo ditë dëgjojmë për sektizimin dhe tëhuajsimin religjioz të turmave dhe askush nuk dëgjoj të jetë brengosur për këtë punë që tashmë është dukuri e cila po kërcënohet me fërkime të reja politike brendashqiptare. Kjo është papërgjegjësi e madhe jona, e cila do t’u shkojë për shtat politikave antishqiptare që nuk e kanë dert a jemi myslimanë apo të krishterë, por janë të përqendruar te përçarja e kombit tonë dhe si pasojë te tokat etnike shqiptare dhe te zhbërja e shqiptarëve, pa marrë parasysh përkatësitë tona fetare.

Në këso rrethimesh të rrezikshme me turmat manipulohet lehtë. Paraqiten “përfaqësues” e “mbrojtës” të ndryshëm të “kauzës islame”, të cilët pohojnë se “disa intelektualë të rëndësishëm evropianë qenkan bërë myslimanë” pa përmendur faktin se me miliona myslimanë që jetojnë në Evropë dalëngadalë heqin dorë nga feja e tyre. Këta “bajraktarë” të vetëshpallur e fyejnë Nënë Terezën me të cilën krenohet mbarë bota, e fyejnë edhe Skënderbeun, i cili paraqet një figurë që na bashkon të gjithëve pa marrë parasysh përkatësinë tonë fetare, fyejnë çdo gjë kombëtare për ta vënë në plan të parë ideologjinë fetare. Në këtë mënyrë ia marrin të drejtën popullit shqiptar që ta ketë mitin e tij – Skënderbeun, siç e ka çdo popull tjetër mitin e vet. Figura e Skënderbeut  neve na bën më të fortë ndaj sfidave që mund të na vijnë nga jashtë. Por ka edhe të atillë që nëpër rrjeta sociale e fyejnë islamin, flasin keq për profetin Muhamet etj. Kujt i duhen gjithë këto marri? Popullit shqiptar gjithsesi jo. Këto punë janë kundër interesave tona në këtë kohë kur po bëhen përpjekje për  stabilizimin dhe përparimin e shqiptarëve si komb evropian. Dhe, është për t’u habitur se si është e mundur që disa sharlatanë të na bëjnë t’i vëmë në dyshim vlerat tona kulturore e historik dhe madje edhe mos të krenohemi me Skënderbeun dhe me figura të tjera të bashkimit kombëtar siç janë Fishta, De Rada, Naimi. Edhe ashtu të vetmuar në oazën tonë të ndarë me kufij, ç’na duhen përçarjet e këtilla, ç’na duhen përpjekjet për militarizimin e sekteve fetare, apo dikush  ka për qëllim të na paraqesë para botës si ferrë në këmbën e Evropës?

Si duket ende nuk doli një lider i cili do të kishte talentin e një udhëheqësi që do të dijë të jetë faktor përbashkues i popullit tonë që tash po përjeton dramën e paparë të migrimeve, të përçarjeve dhe të influencave të ndryshme të cilat mund të jenë gjithçka, po për interesin e shqiptarëve – jo. Sot të gjitha partitë tona politike janë në istikame kundër njëra tjetrës, dy akademitë e shkencave e arteve kanë qëndrime armiqësore njëra-ndaj tjetrës, institutet e gjuhës shqipe dhe të historisë shqiptare, arkivat, ministritë e kulturës etj. nuk kanë kurrfarë bashkëpunimi. Sot më i rëndësishëm është kryetari i komunës së Pustecit se bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare.

Do të kishte qenë mirë që sot ta kishimnjë lider të tillë ta kemi dhe t’i kthehemi jetës normale: ardhmërisë së fëmijëve, daljes nga kriza e rëndë ekonomike, ndaljes së emigrimit të rinisë për shkaqe ekonomike e politike, programeve të mbara arsimore, zhvillimit të kulturës e dijes shqiptare, unitetit kombëtar dhe vetëdijesimit të krerëve të partive politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close