Ambasadorja e Francës viziton BFI-në, diskutohet për terrorizmin

Sot Bashkësia Fetare Islame në RM, u vizitua nga ambasadorja franceze, zonja Lorens Oer, e cila u prit nga Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi. Që në fillim të takimit, efendi Rexhepi i shprehu ngushëllimet më të përzemërta me rastin e aktit terrorist që u krye në emër të islamit në redaksinë e Charlie Hebdo si dhe solidarizim me dhembjet e mbarë popullit francez, në veçanti të familjarëve që i humbën më të dashurit e tyre.

“Dua t’ju siguroj se ai akt i shëmtuar që e tronditi Francën por dhe mbarë botën demokratike nuk ka të përbashkët asgjë me islamin. Islami është paqe dhe, nuk ka kuptim që paqa të prodhojë terrorizëm. Ndaj dhe, insistoj me këmbëngulje, në të gjitha takimet e konferencat që të kihet kujdes në terminologjinë e re që po na futet në retorikë. Sintagmat “terrorizëm islamik” “radikalizëm islamik” etj, nuk janë korrekte dhe si të tilla veçsa ngacmojnë urrejtje ndërfetare”, ka theksuar efendi Rexhepi. Më tej, Reisul Ulema i BFI-së ka folur edhe mbi pasojat e kësaj urrejtje, e cila, çuditërisht, ka sjellë edhe deri te ngërçi dhe te stagnimi i dialogut ndërfetar në vend.

“Ne, jemi për dialog, për paqe dhe mirëqenie. Jemi kundër të gjithë atyre që duke u thirrur në islam shkaktojnë akte antinjerëzore, të shëmtuara, apo edhe urrejtrje ndërfetare. Këtë e dëshmojmë pa rreshtur nëpër aktivitetet tona fetare. Këto aktivitete i kemi intensifikuar në këtë drejtim sidomos pas përfshirjes së disa myslimanëve tanë nëpër vatrat e luftës në Siri e Irak. Këto ditë dolëm edhe me Program konkret për të cilën kemi informuar dhe kemi kërkuar ndihmë si në kabinetin qeveritar të Kryeministrit Nikolla Gruevski po ashtu edhe nëpër të gjitha ambasadat e vendit”, tha, veç të tjerash, efendi rexhepi.

Nga ana e vet, ambasadorja franceze, duke shprehur në emër të qeverisë dhe popullit francez falënderimet për solidarizimin e BFI-së dhe të myslimanëve të vendit lidhur me aktin tragjik që e tronditi Parisin, shprehu edhe fjalë miradie për Projektin e BFI-së për të cilën ofroi përkrahje parezervë. “Do t’ju kisha lutur, ekselenca e juaj që, të më jepni leje që t’ju bëhem lobuese kryesore nëpër ambasadat që funskionojnë në Maqedoni dhe të kërkoj prej tyre përkrahje të gjërë për këtë Projekt kaq paqësor dhe të mbarë”, është shprehur ambasadorja franceze, zonja Oer.

Në fund të takimit të dy palët kanë nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe të takimeve sa më të shpeshta në mes të BFI-së dhe ambasadës franceze, por edhe me organizmat e tjerë evropianë që funksionojnë në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button