Seferi: Do të kthehem kokëlartë nga Polonia

Po afrohet meçi historik i kampionit aktual të Evropës dhe numrit 3 të botës në kategorinë “Cruiser”, Nuri Seferi. Boksieri nga Gostivari, do të përballet më 31 janar me numrin 1 të botës, Krzysztof Glovaçki në Poloni.

“Përgatitjet e mia po shkojnë drejt përfundimit para ndeshjes sime historike më 31 janar në Poloni kundër Krzystof Glovaçki. Dua që publikisht të falënderoj trajnerin tim Bylent Baser, i cili ka bëre një punë të shkëlqyer gjatë fazës përgatitore. Kemi punuar shumë me qëllim që të kthehemi kokëlartë nga Polonia”, shkruan në një postim në “Facebok”, boksieri shqiptar, i cili është i bindur thellë në fitoren e tij.

“Po ashtu dua që në këtë rast të falënderoj edhe ish kampionin e botës Huan Karlos Gomez , sparing partnerin tim, i cili u stërvit së bashku me mua gjatë stërvitjeve intensive që kisha në këtë periudhë. Shpresoj që mbështetja juaj nuk do të mungojë as në Poloni. Të bashkuar drejt fitores”, thotë Seferi.

Dueli Seferi – Glovaçki është pjesë e një turniri eliminator që e ka përzgjedhur Federata VBO në asamblenë e saj të fundit në Las Vegas. Ky do të jetë padyshim dueli më i rëndësishëm në karrierën e boksierit shqiptar, Nuri Seferi. Në ndërkohë, kundërshtari i Seferit, polaku Krzysztof Glovaçki deri tani i ka zhvilluar 23 duele dhe ka fituar 23 herë, 15 herë me K.O (nokaut). Ai e mban titullin VBO Inter-Kontinental dhe pozitën e parë në ranglistën botërore. Pra një kundërshtar që më i vështirë nuk mund të ishte, është vetëm 28 vjeçar, 10 vite më i ri se boksieri shqiptar me qëndrim në Zvicër, Nuri Seferi.

Lajme të ngjashme

Back to top button