fbpx

ANALIZË: Mbi 60 mijë qytetarë me llogari të bllokuara!

Në mënyrë dramatike rritet numri i qytetarëve dhe i firmave me llogari të bllokuara. Sipas të dhënave të reja të Bankës Popullore, deri në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, numri i llogarive të bllokuara ka qenë mbi 217 mijë ose vetëm për një vit ky numër është rritur për mbi 41 mijë llogari të reja të bllokuara. Për dallim nga të dhënat e BPRM-së, nga Oda e përmbaruesve thonë se zvogëlohet numri i qytetarëve dhe i firmave të paditura, mirëpo edhe më tutje numri më i madh i borxhlinjve janë qytetarët. Kush dhe për ç’arsye ka borxh, çka tregojnë të dhënat për përkeqësimin e gjendjes financiare të popullatës dhe të firmave?

Borxhlinj më të mëdhenj – qytetarët, ndërsa kreditorë më të mëdhenj – firmat komunale dhe bankat…

Të dhënat e përmbaruesve tregojnë se ka zvogëlim të lëndëve për përmbarim, ndërsa numrat nga Banka Popullore thonë se ka trend të rritjes së numrit të qytetarëve dhe të firmave të bllokuara, në bazë të aktvendimeve për ekzekutim, për borxhe të cilave u ka kaluar afati dhe që nuk janë paguar.

Kështu, deri në fund të dhjetorit, në vend ka pasur 60.463 qytetarë me llogari të bllokuara dhe në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2013, numri është rritur për më shumë se 19 mijë qytetarë të rinj të bllokuar. Edhe trendi te kompanitë është i ngjashëm, në fund të vitit 2014 janë bllokuar 42.220 firma ose numri është rritur për 1.150 firma të reja të bllokuara. Deri në fund të dhjetorit, në Maqedoni ka pasur mbi 102 mijë qytetarë dhe firma të bllokuara.

Mu qytetarët edhe më tutje janë borxhlinjtë më të mëdhenj, për të cilët ka edhe numër më të madh të aktvendimeve për ekzekutim.

“Nëse e analizojmë tendencën gjatë dy viteve të fundit, numri i përgjithshëm i lëndëve për përmbarim është në zvogëlim. Poashtu, zvogëlohet edhe vëllimi i mjeteve për përmbarim, gjegjësisht paratë, si rezultat i diciplinës së shtuar financiare. Sipas të dhënave të Odës së përmbaruesve, vitin i kaluar si borxhlinj kanë figuruar mbi 85.500 qytetarë, pastaj vijnë firmat me 17.559 dhe në fund, si borxhli është shteti, kundër të cilit janë parashtruar 3.505 kërkesa për përmbarim”, thotë Zoran Petreski, kryetari i Odës së përmbaruesve.

Sipas analizës së përmbaruesve, numri më i madh i lëndëve janë nga ndërmarrjet komunale. Edhe më tutje në strukturën e kreditorëve dominojnë EVN-ja, kompanitë e telekomunikimit, pastaj ngrohtoret, gjegjësit “Ngrohtorja” e Shkupit dhe ndërmarrjet e ujit. Këtu, gjithsesi janë edhe bankat, të cilat, siç thonë përmbaruesit, gjenden lartë në listën e kreditorëve, si në raport me personat fizikë, ashtu edhe në raport me personat juridikë. Numri i lëndëve për përmbarim prej personit fizik kah personi fizik dhe prej personit fizik kah kompanitë është konstant.

“Në tre vitet e fundit është regjistruar trend i zvogëlimit të numrit të lëndëve për përmbarim. Kështu, në vitin 2012, ka pasur 164.055 kërkesa për përmbarim, në vitin 2013, ky numër ka qenë 141.115, ndërsa vitin e kaluar, gjegjësisht për nëntë muajt e parë, numri i kërkesave për përmbarim ka qenë, 106.600”, thotë përmbaruesi Petreski.

Frika e borxhlinjve që të mos krijojnë borxhe të reja dhe të mos presin deri në momentin e fundit është njëra nga arsyet për shkak të së cilës zvogëlohet numri i lëndëve për përmbarim, konsideron edhe përmbaruesi Gordan Stankoviq.

“Gjendja e tillë është për shkak të rritjes së kulturës financiare ose diciplinës së borxhlinjve, të cilët nuk e presin momentin e fundit që t’i paguajnë borxhet, gjegjësisht që borxhin ta paguajnë nëpërmjet përmbaruesit”, deklaroi para do kohësh Stankoviqi.

Njëkohësisht, me zvogëlimin e numrit të lëndëve për përmbarim, zvogëlohet edhe përqindja e realizimit, gjegjësisht përmbaruesit për nëntë muajt e parë të vitit 2014 kanë arritur të realizojnë vetëm 33,4% të arkëtimeve, që sipas një pjese të përmbaruesve është rezultat edhe i gjendjes së rëndë financiare të borxhlinjve, të cilët nuk mund t’i paguajnë borxhet.

Prej janarit deri në dhjetor janë arkëtuar pothuajse 73 milionë euro. Të dhënat nga Oda e përmbaruesve tregojnë se në vitin 2013 janë arkëtuar 127,5 milionë euro, ndërsa në vitin 2012, 104 milionë euro.

Firmat dhe shteti si borxhlinj…

Edhe shteti është në listën e subjekteve të paditura nga qytetarët dhe firmat. Kundër saj ka mbi tre mijë lëndë për përmbarim. Sipas informatave nga përmbaruesit, në listën e borxhlinjve më të mëdhenj shtetërorë janë “Rrugët e Maqedonisë” ndërsa më së shumti mjete janë përmbaruar në Shkup, e më së paku në Koçanë, Berovë, Vinicë dhe Dellçevë. Nga shteti, në bazë të arkëtimit të detyrueshëm, për nëntë muaj janë arkëtuar 9,2 milionë euro.

“Si paditës kundër shtetit paraqiten edhe qytetarët edhe kompanitë. Në vitin 2014, nga të dhënat që janë në dispozicion deri tani, kundër shtetit janë pranuar 25.662 kërkesa për përmbarim, edhe atë më tepër ka kërkesa nga qytetarët, numri i të cilave është 11.205. Në vendin e parë janë firmat me pothuajse 70.000 kërkesa për përmbarim”, sqaron kryetari i Odës së përmbaruesve.

Se është duke u përkeqësuar kondicioni financiar edhe i sektorit privat edhe i qytetarëve, për përmbushje të rregullt të obligimeve, tregon edhe raporti i fundit i Bankës Popullore, ku thuhet se niveli i kredive jofunksionale është 12,2%.

“Te ndërmarrjet kjo pjesëmarrje u rrit në 16,9%, që është më e larta që pas vitit 2006” – shkruan në raportin e BPRM-së.

Për dallim nga sektori privat, te amvisëritë është regjistruar ngecje e saldos së kredive jofunksionale, mirëpo sa i përket strukturës, ka rritje të arkëtimeve problematike që lidhen me borxhet për kartelat kreditore. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Bankës Popullore, viti i kaluar 2014, ishte edhe një vit ekonomik ku vazhdoi trendi i rritjes së numrit të llogarive të bllokuara të qytetarëve dhe të firmave. Deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në vend kanë qenë të bllokuara 217 mijë xhiro-llogari, ose për 41.579 më tepër në krahasim me gjendjen në muajin e njëjtë të vitit 2013./Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close