MASH-i përgatitet për provimin ekstern, SASHK-u vazhdon grevën!

Sindikata e arsimit është e vendosur të vazhdoj grevën deri në plotësimin e kërkesave ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) kërkon realizimin e testimit të maturantëve nga dita e nesërme e deri të enjten dhe për këtë qëllim sipas Safet Nezirit janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Ai thotë janë informuar edhe prindërit e nxënësve maturantë përmes SMS porosive.

“Në rastin konkret nxënësit nuk guxojnë të jenë viktimë as e grevës dhe e askujt sepse e drejta e tyre ligjore dhe kushtetuese e nxënësve është që vërtetë të vlerësohen ashtu siç e parasheh ligji sepse ata nxënës me ato nota që do i marrin nga testimi ekstern ata nesër duhet të pranohen në fakultete dhe universitetet. Nëse eventualisht nuk do të organizohet testimi ekstern dhe normalisht  në bazë të normave ligjore do të veprohet konform asaj. Po që është më e keqja, me vet fajin e atyre që nuk e organizojnë testimin ekstern do të dëmtohen edhe nxënësit prandaj duhet të gjithë nxënësit ditën e nesërme 26 e deri më 29 të paraqiten nëpër shkolla që të mbahet testimi ekstern”, u shpreh Safet Neziri, nga MASH.

Neziri nga ana tjetër hedh poshtë zërat se arsimtarët grevist nuk do të marrin rrogat e janarit. Këto zëra kreu i Sindikatës Jakim Nedelkov i quajti spekulime të cilat kanë për qëllim uljen e moralit të grevistëve.

“Nuk është e vërtetë, deri më 20 janar rroga do të paguhet nga buxheti i shtetit. Prej datës 20 e tutje i din se cilat janë normat ligjore duhet pagat tua paguaj sindikata ndërsa ne i paguajmë vetëm kontributet” , tha Safet Neziri.

“Ato janë spekulime të cilat janë në drejtim të uljes së moralit të atyre që bëjnë grevë dhe kjo nuk është e vërtetë pasi gjatë grevës ajo është e rregulluar me marrëveshjen kolektive për arsim fillor dhe të mesëm”, deklaroi Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK-ut.

Nga ana tjetër SASHK-u kërkon formimin urgjent të një grupi punues i cili do të shqyrtoj situatën aktuale me grevën në arsim  ndërsa do të përfshijë përfaqësues të Ministrisë së arsimit, punës dhe politikë sociale, këshillit social-ekonomik  dhe Sindikatës. Këto grupe punuese do të kenë për detyrë edhe të vërtetojnë informacionet e plasura në opinion rreth lartësisë së të ardhurave të Sindikatës në nivel vjetor.

Por nga Ministria e arsimit thonë se kjo është çështje e  brendshme  e sindikatës dhe se nuk do të delegoj anëtar të saj. Safet Neziri tha për Alsat se Ministria e arsimit është e gatshme të negocioj rreth grevës së mësimdhënësve por jo nën presion. Për shkak të grevës në arsim, nesër pritet që për vizitë në vendin tonë të arrij kryetari i Konfederatës Evropiane për arsim dhe të realizoj takim me kryeministrin dhe ministrat e resorëve përkatës./ alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button