Llopata harohet nga pushteti lokal

Edhe pse vetëm 3 km larg qendrës së qytetit, fshati Llopat i Kumanovës nuk dallon nga fshatrat malore të lëna pas dore, me mungesë të kushteve më elementare infrastrukturore. Baltë, gropa, mungesë kanalizimi, përmbytje dhe mungesë ndriçimi rrugorë. Banorët rrëfejnë vështirësitë në përditshmërinë e tyre.

“Shpeshherë ky uji këtu që kalon, del nga shtrati dhe rruga bëhet e pakalueshme. Gjithashtu fëmijët detyrohen që mos të shkojnë në shkollë, njëjtë edhe gjatë dimrit kur ka acar, nuk kalohet. Mungon organizimi, mungon asfaltimi, mungon gjithçka. Apeli jonë është që të vijnë ata dhe të shohin gjendjen e vërtetë të këtyre qytetarëve dhe jo të vijnë vetëm kur ata kanë nevojë për votën tonë, por të vijnë edhe atëherë kur ne kemi nevojë për ndihmën e tyre”, deklaroi Ibrahim Sulejmani, Imam i fshatit.

Banorët i dërguan porosi kreut të komunës së Kumanovës, duke i kujtuar se edhe ata janë taksapagues dhe meritojnë jetë më të dinjitetshme.

“Të gjitha pagesat i bëjmë me rregull,as nuk guxojmë t’i lëmë pasi që përmbaruesit janë në gjendje gatishmërie. Mirëpo kur të vjen puna për të investuar, nuk bëhet fjalë të na ndihmojnë dhe të na japin atë që e meritojmë. Kreu i komunës para zgjedhjeve na ka premtuar asfaltimin e rrugëve dhe kanalizimin. Që kur i ka marrë votat më as nuk ka ardhur këtu. Tashmë është fundi, do të organizohemi dhe do të shkojmë në Komunë, nëse duhet edhe do të bojkotojmë, ndoshta në këtë formë do të rregullohet diçka”, u shpreh Hasip Hasipi, banor.

Fshati është i banuar nga shqiptar dhe maqedonas dhe ajo që i bashkon ata është mungesa e infrastrukturës. Sipas tyre, rrugët që çojnë për tek varrezat, vështirësojnë edhe ceremoninë e funeraleve. Ata i kujtuan kreut të Kumanovës, Zoran Damjanovskit se pikërisht ky fshat i siguroi atij mandatin e ri.

“Fshati jonë është më afër qytetit, ndërsa ne shkelim në baltë sikur të jemi në mal. Kreu i Komunës ankohet se nuk ka para, i janë bllokuar xhirollogaritë,  e ku ta di. Me premtimin për asfaltimin e kësaj rruge, ai e siguroi edhe mandatin e tretë dhe prapë nuk e ka rregulluar. Ndodh të vdes dikush, as tek varrezat nuk mund të shkojmë, as ne as shqiptarët. Nëse të është e bllokuar xhirollogaria, pse po vrapon kur janë zgjedhjet. Llopati e ka bërë kryetar Komune në të gjitha mandatet, mos ta kishim votuar ne nuk do të ishte në atë post. Dhe prapë, baltën më të madhe në rrethinë ne e shkelim. Cila është perspektiva jonë dhe e ardhmja jonë, kur fillimisht rrugë nuk kemi”, tha Jovica Stojanovski, banor.

Televizioni Alsat tentoi të bisedoj edhe me kryetarin e fshatit, Nehat Beqiri, por ishte i pakapshëm për prononcim. Banorët thanë se Beqiri neglizhon kërkesat e tyre dhe nuk i përcjell ato te kreu i komunës. Fshati Llopat ka rreth 600 shtëpi. Nga të gjitha rrugët brenda fshatit, vetëm dy janë të asfaltuara, ndërsa kanalizimi është i instaluar vetëm në një pjesë të fshatit. Kreu i komunës, por edhe këshilltarët shqiptar ishin të pakapshëm për të komentuar kërkesat dhe pakënaqësitë e banorëve të Llopatit./alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button