Bashkëpunimi rajonal mes shteteve, i domosdoshëm

Bashkëpunimi rajonal është më se i domosdoshëm mes shteteve, përfshirë edhe Maqedoninë e cila viteve të fundit sikur ka qenë e rezervuar në raport me disa shtete fqinje, parasegjithash me Kosovën dhe Shqipërinë, me të cilat takimet zyrtare dhe rrjedhimisht bashkëpunimi nuk ka qenë në nivelin e dëshirueshëm, transmeton REL.

Kështu njohësit e çështjeve ndërkombëtare komentojnë vizitat e fundit nga Prishtina, Tirana, por edhe ato nga shtetet tjera si Austria e kështu me radhë.

Pa anashkaluar Greqinë, me të cilën Maqedonia ka problemin shumëvjeçar të emrit, Mirjana Malevska, profesore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë është mëse i domosdoshëm duke marrë parasyshë faktin se në Maqedoni, jetojnë një përqindje e konsiderueshme e komunitetit shqiptar, të cilët në çdo aspekt janë të lidhur me bashkëkombasit e tyre në këto vende.

Veç kësaj sipas Malevskës, vendin e lidhin edhe interesa tjera ekonomike për të pasur raporte të mira më të gjitha vendet.

“Ka diçka që quhet interesa kombëtare të një shteti dhe fqinjët nuk mund t’i ndryshoni. Ata janë këtu dhe është interes strategjik që ju të keni raporte të mira. Mendoj se këtë më në fund e kanë kuptuar të gjithë, në veçanti ata që kanë pasur dilema. Maqedonia nuk ka kurrfarë kontestesh as me Kosovën e as me Shqipërisë ndërsa në qeveri është një parti shqiptare dhe është shumë normale që të punohet në ngritjen e marrëdhënieve sa më të mira me këto shtete“, thotë Mirja Malevska.

Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe profesor i së drejës ndërkombëtare në Univeristetin Fon, thotë se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por edhe për mirëqenien e qytetarëve pasi përmes projekteve të ndryshme ata mund të përfitojnë si në lëvizjen e lirë dhe ashtu edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik, kjo parasegjithash vlen për bizneset e vogla që çdoherë kanë hasur në probleme të ndryshme byrokratike.

Por, Bilalli në këtë bashkëpunim, sheh edhe interesa tjera, të inicuara nga ndoshta edhe nga bashkësia ndërkombëtare për rritjen e bashkëpunimit mes shteteve duke marr parasyshë edhe krizën në Ukrainë.

“Mendoj se edhe faktori i jashtëm për shkak të situatës në Ukrainë sikur dëshiron të krijoj një relaksim të situatës në rajon, duke u frikësuar nga mundësia e përhapjes së problemit të Ukrainës përmes rrjeteve të ndryshme që Rusia i ka në Ballkan“, thotë Bilalli.

Veç kësaj, ai në gjithë këto vizita sheh edhe tentimin e partive politike për të tërhequr vëmendjen e nga problemet e ndryshme që pushteti aktual nuk ka arritur t’i zgjidhë, apo edhe të amortizoj pakënaqësinë mes vet partive politike.

“Gjendja e ashpërsuar në shtet në shumë segmente kyçe, imponon nevojën e amortizimit të pakënaqësive edhe përmes vizitave të ndryshme, në radhë të parë të atyre problemeve që kanë të bëjnë mes vet partive politike, të grupeve parlamentare e kështu me radhë. Pra, pushteti tenton që këto probleme që janë në rritje e sipër t’i amortizon përmes formave të akceptueshme të palës të cilës i mungon kondicioni për zgjidhjen e problemeve reale“, thotë analisti Mersel Bilalli.

Ndryshe, në Maqedoni gjatë javës së kaluar janë relizuar vizita të shumta, si ajo e shefit të diplomacisë austriake, Sebastian Kurtz, i cili bëri thirrje për raporte të mira ndërentike, pastaj ishte vizita e kryeparlamtarit shqiptar, Ilir Meta, i cili po ashtu kërkoi relaksim të raporteve mes dy komuniteteve më të mëdha përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për të vazhduar mës pas me vizitës e shefit të diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, i cili përveç fokusit për rëndësinë e paqes dhe të stabilitetit, njoftoi edhe lëvizjen e shpejtë të qytetarëve të të dyja shteteve vetëm me letërnjoftime.

Këtë e konfirmuan edhe ministrat e brendshëm, Skënder Hyseni dheGordana Jankullovska, gjatë përurimit në Bllacë të një punkti për bashkëpunimin mes policive përkatëse.

Në vizitë ishte edhe ministrja e mbrojtes e Shqipërisë, Mimi Kodheli e cila i ofroi ndihmën e gjithanshme Maqedonisë për anëtarësimin në NATO.

Lajme të ngjashme

Back to top button