Arian Demolli, sfidat e jetës: Nga një futbollist në person medial (Intervistë)

Nëse shikoni televizionet në Maqedoni, sigurisht do ta shihni edhe Ariani Demollin në ndonjë prezantim të tij. Ai është një moderator shumë i dashur për të rinjtë, i lindur në Tiranë ndërkaq karrierën e tij e ka filluar në Maqedoni.

Në një intervistë për Portalb, moderatori rrëfen fillimet e para të tij, ai thotë se asnjëherë nuk e kishte menduar se një ditë do të bëhet i njohur, madje as edhe nuk e ka ëndërruar këtë gjë pasi ëndrra e tij fëmijërore ishte futbolli.

Intervistoi: Zekirja Mexhiti

PORTALB: Arian, na i përshkruaj fillimet e para në gazetari. Cilat janë arsyet që ju zgjodhët këtë profesion?

Arian Demolli: Po sigurisht mbaj mend si sot ato fillimet e para që kanë qenë shumë spontane. Unë asnjëherë si fëmijë nuk kam menduar të bëhem prezantues dhe kur kam ardhur fillimisht në TV Era kam ardhur për të punuar si gazetar sporti e jo si prezantues. Në shumë intervista tjera e kam thënë e them edhe këtu se ishte pikërisht Zirije Luma e ndjera që sot nuk jeton më, e cila aso kohe ishte kryeredaktore në Tv Era, që po ashtu ka qenë edhe si nënë për mua. Besonte shumë te unë, më ka ndihmuar dhe insistonte që Ariani të dilte para ekranit dhe jo pas. Të them të drejtën nuk e di se çfarë shihte ajo tek un, me pak fjalë ajo ishte personi i vetëm që më besoi dhe ishte ajo shtytëse që unë të bëhesha prezantues. Para se të punoja si gazetar sporti këtu, unë kam luajtur futboll për Dinamon e Tiranës, pas një kohe unë e braktisa futbollin dhe menjëherë kam ardhur në Shkup dhe rastësisht kam kërkuar punë si gazetar sporti në Tv Era meqë e njihja mirë sportin dhe tash siç e shihni, kanë kaluar gati 9 vite që unë jam pjesë e TV Erës.

PORTALB: Çfarë tema trajtoni në emisionet “Bardh e Zi” dhe “Contrast”?

Arian Demolli: Unë jam redaktor i të dy emisioneve të lartpërmendura. Emisioni Bardh e zi ka bërë 8 vite që transmetohet si emision. Në “Bardh e Zi” trajtojmë tema të ndryshme për të rinjtë, ku fillimisht ka qenë duke dërguar mesazhe dhe pastaj me evulimin e kohës dhe teknologjisë sot kemi një faqe në Facebook ku aty shikuesit japin mendimet e tyre na rekomandojnë tema të ndryshme. Ndërsa “Contrast” ka dy vite që transmetohet, është emision që trajton tema të ndryshme, kemi pasur intervista speciale me fytyra të njohur në publik. Një ndër intervistat e fundit më të shikuara ka qenë intervista me Milaim Zekën që e kam realizuar në Prishtinë pastaj mund ti veçojmë intervistat tjera që kam pasur me Imer Selmanin, Naser Zyberin, Armend Ramadanin që e kam edhe bashkëpunëtor, me këngëtaren Enca Haxhiun e cila në fillim të karrierës para se të lansonte hitin “A po tpëlqen” ka dhënë intervistë ekskluzive për emisionin “Contrast”. Pra Enca ekskluzivitetin para disa muajve e dha për emisionin tim, ku e lajmëroi edhe bashkëpunimin që do e kishte me Noiyzin asokohe.

Arian Demolli dhe Armend Ramadani
Arian Demolli dhe Armend Ramadani

PORTALB: A është vështirë për ty si moderator të menaxhoni këto dy emisione?

 Arian Demolli: Vështirësitë hasen kudo, e sidomos në Maqedoni ku problemi kryesor është tek financat e pastaj te njerëzit sepse neve na mungojnë shumë personazhet këtu në Maqedoni . Dhe ndonjëherë fajin e kemi edhe vet ne mediat pasi shpeshherë fokusohemi vetëm tek disa personazhe dhe harrojmë që ka të tjera që duhet të promovohen. Shumicën e kohës në TV i shohim vetëm 2/3 personazhe të njohura kurse realisht ka edhe shumë të tjerë që punojnë shumë, që kanë talent dhe kanë çfarë të tregojnë e ne këtë gjë rrallë e bëjmë. E faji për këtë është i mediave, portaleve dhe i imi. Kjo nuk është aspak e mirë pra duhet që të ndryshohet dhe unë e filloj këtë që nga vetja ime, pra në emision shikoj të promovoj, të sjell para publikut njerëz që me të vërtetë ia vlen. Shpeshherë unë i ndjeki se si stacionet televizive italiane i krijon personazhet nga zero, kurse ne merremi vetëm me disa, p.sh një artist shkon për pushime i vë një palë syze dhe një kapelë dhe ne bëjmë lajm për të, kjo sipas meje nuk është lajm se ai ka dal për qefin e vetë, dhe kjo për mua por edhe për shumë të tjerëve nuk iu intereson.

PORTALB: A ndodh që të ftuarit për në emision t’ju “tradhtojnë” në momentin e fundit dhe çfarë bëni atëherë?

Arian Demolli: Po ka ndodhur (qesh). Po kam shpikur shumë herë jam munduar që ti zëvendësoj. Më ka ndodhur disa herë që të ftuarit nuk më kanë ardhur por jam munduar ti zëvendësoj për të mos dështuar emisioni. Pasi është e vështirë që të marrish dikë dhe brenda ditës ti thuash ej më duhesh sot për emisionin pasi të gjithë janë me obligime, duhet të shohin agjendën e tyre, pra mendoj që është e vështirë por sidoqoftë nuk ndodhin shpesh. Këtë gjë do e hasni edhe ju si gazetar edhe atë më së shumti te këngëtarët të cilët përderisa janë të panjohur për publikun, të ngjiten si pleshti kur i ngjitet një kafshe, kështu veprojnë disa këngëtar edhe pse shumicën e këngëtareve i kam miq të mirë, pra në momentin që ato bëhen te njohur atëherë fillojnë të bëjnë gjeste të tilla.

PORTALB: Tani jeni në përgatitje të disa emisioneve të reja, na thuaj çfarë do të jenë dhe kur do të fillojnë?

 Arian Demolli: Rreth projekteve të reja nuk dua të flasë shumë, nuk do të zbuloj asgjë pra le të jetë me mirë si surprizë për shikuesit. Mund të them se do të jenë emisione të mija, pra ide të mija, unë asnjëherë skam pranuar të bëj projekte të dikujt tjetër pra gjithherë kanë qenë idetë e mia.

PORTALB: A keni shembuj që i ndiqni në gazetari?

Arian Demolli: Kohët e fundit ndër moderatorët që ndjeki më së shumti Jimmy Kimmel, është njëri ndër prezantuesit më të mirë amerikan, ndërsa tek moderatorët shqiptar më pëlqen Arian Çani pasi është shumë i lirshëm me të ftuarit, njerëzit e gjykojnë shumë por prapë e ndjekin të gjithë prandaj më pëlqen ai, i thotë gjëra troç dhe më pëlqen kjo kur njerëzit edhe të shajnë edhe të duan (qesh).

Arian Demolli dhe Naser Zyberi
Arian Demolli dhe Naser Zyberi

PORTALB: Si është marrëdhënia juaj me partneren tuaj, me sa e dimë jeni i martuar?

Arian Demolli: Po jam i martuar, marrëdhënia ime me partneren është shumë e mirë. Martesa ime ka bërë gati 5 vite dhe bashkëjetojmë shumë mirë.

PORTALB: Si e menaxhoni kohën tuaj jashtë ekranit, keni ndonjë hobi të veçantë?

Arian Demolli: Një nga pikat kryesor e kam që të mos e teproj me daljen time në vende publike, jo për mendjemadhësi por ketë e bëj për të ruajtur distancën pra mos të harxhohem te publiku, pasi kur publiku të sheh çdo ditë në TV dhe pastaj kur të sheh çdo ditë nëpër kafe, fillon të bëhesh nje njeri i mërzitshëm për ato. Shumicën e rasteve kërkoj vende ku nuk ka shumë njerëz dhe në qoftë se dal diku për vikend dal jashtë Shkupit. Kohën e lirë zakonisht e përdori për të pushuar në shtëpi, nuk më pëlqen të dale shpesh por edhe kur dale jam me shumë pak njerëz, jam me miqtë e mi të afërt që janë stilisti Armend Ramadani, futbollisti Nderim Nexhipin, Ardian Cuclin e disa të tjerë. Pastaj luaj shpesh futboll gati çdo javë, për tu relaksuar dhe për të mbajtur trupin në formë.

 PORTALB:A keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga Televizioni dhe nëse po, çfarë do bënit?

Arian Demolli: E kjo ishte është një pyetje e vështirë, kur e lash futbollin nuk e dija se çfarë do behja. Këtë pyetje ja bëj shpesh edhe vetes sime, por nuk e kam menduar të heq dorë nga prezantimi krejtësisht, do heqja dorë nga prezantimi në Maqedoni për të vazhduar në Shqipëri. Në Maqedoni kam realizuar thuajse të gjitha ëndrrat që kam pasur duke filluar nga prezantimi i “Nota Festit”, festivaleve të ndryshme e shumë gjëra të tjera kam arritur. E vetmja gjë që më ka mbetur ëndërr është që një ditë të jem pjesë e ndonjë televizioni prestigjioz shqiptar.

Arian Demolli001

PORTALB:Jeni imazh i disa kompanive në Maqedoni, a mund të na flasësh më shumë në këtë drejtim?

Arian Demolli: Po jam imazh i shumë kompanive në Maqedoni, duke filluar LTB që kujdeset çdo ditë për veshjen time në emision, pastaj jam imazh i fabrikës së bulmetit Buçen Kozjak pra jam i vetmi shqiptar që prezantoj një kompani të njohur maqedonase, pas kësaj jam zëri i marketve “Tinex”, pra lexoj materialin propagandues të tyre. Dhe e fundit është që vetëm para disa muajve jam bërë imazh i Universitetit ndërkombëtar “Slavjanski”. Dua të theksoj se jam i pari shqiptar që bëhem imazh i këtij Universiteti të njohur, përpos meje janë edhe disa këngëtar të njohur maqedonas që janë imazh i këtij Universiteti. Kuptohet në reklamat e ardhshme që do ti ketë ky Universitet unë do të flas shqip, edhe në shumë reklama tjera që kam pasur unë kam folur në gjuhën shqipe pasi shpesh herë ka pasur raste ku këngëtar shqiptar kanë prezantuar kompanitë maqedonase dhe kanë folur në gjuhën maqedone.

Arian Demolli 1

PORTALB: Cilat janë gjërat që nuk keni mundur t’i realizoni asnjëherë në jetë?

Arian Demolli: E vetmja gjë që nuk e kam arritur në jetë është sigurisht futbolli. Kam pasur edhe një plan por nuk do e zbuloj se ma kopjojnë se zakonisht këtu në Maqedoni, shpesh herë ka pasur raste ku mi kanë kopjuar emisionet e mija. Ka qenë para disa vitesh një emision që jam munduar të bëj në bashkëpunim ne teatrin shqiptar në Maqedoni doja të bëja një show të vërtet por nuk u realizua, kjo mund të realizohet ndonjëherë tjetër. Ky plan ka qenë para 7 vitesh kur unë isha pak më i ri dhe mendoja që çdo gjë mund të bëhet por televizioni është një punë e vështirë dhe duhet i mendosh mirë gjëra para se ti realizosh.

PORTALB: Mesazhi juaj për lexuesit e Portalb-it?

Arian Demolli: Portali që çdo herë kur zgjohem në mëngjes ia kam vënë për detyrë vetes që ta shfletoj PORTALB-in. Kjo më ka mbetur që kur isha fëmijë aso kohe në Tiranë, zgjohesha dhe dilja të bleja çdo ditë nga 4 ose 5 gazeta, pija kafen e mëngjesit me shokët e mi duke i shfletuar gazetat.

Por tani me evulimin e kohës nuk lexoj shumë gazeta, por më shumë lexoje nëpër portale, veçanërisht portalin Portalb.mk të cilët përpos punës profesionale kanë edhe shumë lajme ekskluzive.

PORTALB: Faleminderit për intervistën dhe ju dëshirojmë shumë sukses.

Lajme të ngjashme

Back to top button