Erdogan: Testojmë Evropën që të shohim nëse do ta pranojë Turqinë në BE

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës në Xhibuti deklaroi se Turqia është duke testuar Evropën, e cila në këtë mënyrë do të tregojë se a është e gatshme të pranojë një vend me shumicën e popullsisë muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne testojmë Evropën, për të parë nëse do të pranojë Turqinë, e cila ka shumicën e popullsisë muslimane,” tha Erdogan. Pas takimit me Presidentin e Xhibutit Ismail Omar Guelleh, Erdogan tha se sot luhet një lojë shumë serioze ndaj botës islame në formën e islamofobisë dhe thirrjeve për konflikt mes qytetërimeve.

“Ju e dini, kur isha Kryeministër, së bashku me kryeministrin spanjoll Zapatero, bëmë hapin e duhur dhe vendosëm të formojmë aleancën e qytetërimeve në botë që të mos lejojmë përplasjen e qytetërimeve. Deshëm të tregojmë se Samuel Huntington e ka gabim, dhe ti kontribuojmë paqes në botë. Deri më tani, 145 vende dhe institucionet ndërkombëtare iu bashkuan aleancës,” tha Erdogan.

I pyetur për rrugën e Turqisë në Bashkimin Evropian, presidenti turk theksoi se vazhdon procesi i integrimit evropian për vendin e tij.

“Nuk ka rëndësi nëse na pranojnë në BE apo jo. Aktualisht, siç kemi planifikuar, ne kryejmë aktivitetet. Në fakt, ne testojmë Evropën. Do të shohim nëse mund të pranojë Turqinë, e cila ka popullsi muslimane?A mund t’na pranojnë mes tjerash? Më saktë, nëse janë kundër islamofobisë ose jo? “, tha Erdogan.

Ai vuri në dukje se nëse BE-ja pranon Turqinë, me këtë do të dëshmojë se nuk është “një klub i krishterë”. “Turqia tani është një shtet i fuqishëm. Nëse mendoni Turqinë si një vend që do të vijë në derën tuaj dhe t’ju lutet, Turqia nuk është një shtet i cili do të vijë në derën tuaj dhe t’ju lutet. Turqia është shtet që qëndron në këmbët e veta. Turqia është një shtet që çdo ditë zhvillon industrinë e saj, bujqësinë, energjetikën, arsimin, shëndetësinë dhe sektorët e tjerë. Nëse BE-ja e pranon si të tillë, do të hyjë, por nëse jo, atëherë Turqia do të përcaktojë rrugën e saj”, tha presidenti turk./AA/

Lajme të ngjashme

Back to top button