Protestë në Prishtinë kundër ministrit Jabllanoviç dhe për Trepçën

Mijëra protestues nga e gjithë Kosova u mblodhën paraditen e së shtunës në sheshet Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova të Prishtinës, për të kërkuar shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç dhe mbajtjen e ndërmarrjes së Trepçës nën administrimin e Kosovës.

Gjatë tubimit përpara ndërtesës së qeverisë, protestuesit akuzuan kryeministrin Isa Mustafa pse nuk po shkarkon ministrin serb, i cili i quajti “egërsira” nënat gjakovare që protestonin për familjarët e zhdukur gjatë luftës. Në duar ata mbanin parulla me shkrimet “Jabllanoviç jashtë”, “Mustafa, argat i Serbisë”, “Trepça është e jona”, etj.

Gjatë protestës disa prej manifestuesve hodhën sende brenda oborrit të ndërtesës së qeverisë, duke thyer thuajse të gjithë xhamat e kateve të para të saj.

Ndërkohë, në fjalën e tij kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Mustafa, duke thënë se, me ligjin që ka sjellë në Kuvend për ndërmarrjen e Trepçës ia jep atë Serbisë.

“Vetëm me popullin në rrugë fitohet Trepça”, tha Kurti. Ai i drejtoi edhe një ultimatum shefit të qeverisë për shkarkimin e Jabllanoviç, ndërsa paralajmëruar për të martën në orën 12 protestën tjetër.

“Ne sot, nga ky vend i japim ultimatum qeverisë 48 orë që ta shkarkojë Aleksandër Jabllanoviç. Pra, deri të hënën në orën 16:00, Isa Mustafa ka afat ta shkarkojë atë, në të kundërt dalim sërish në shesh”, theksoi Kurti.

Edhe Driton Çaushi, organizator i protestave në Gjakovë, kërkoi gjithashtu nga Mustafa që të shkarkojë Jabllanoviç pasi deklaratat e tij janë të papranueshme.

“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviç”, tha ai.

Çaushi u shpreh se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të tyre.

Por, edhe pse manifestimi u shpall i mbyllur pas fjalimeve, disa protestues vazhduan të qëndronin para godinës së qeverisë duke hedhur sende ndaj saj. U desh ndërhyrja e njësive speciale që mundësoi tërheqjen e tyre.

Ndërkohë, në sheshin Nënë Tereza protestuesit, të revoltuar, thyen xhamat dhe karriket e një lokali. Të tjerë u zmbrapsën nga forcat e policisë deri në sheshin Zahir Pajaziti, edhe pse duke hedhur sende të forta ndaj forcave të rendit.

Sipas Basri Lenjanit, drejtor i urgjencës në QKUK, dy policë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të marra gjatë përplasjeve me protestuesit.

Ndërkohë, kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk qëndroi deri në fund të protestës dhe nuk mbajti ndonjë fjalim.

Ndërsa, kryeministri Mustafa kishte vendosur që gjatë protestës të largohej nga kryeqyteti. Sipas axhendës, në ato momente ai ishte në Pejë për një aktivitet në këtë qytet. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button